Gazetare: Amila Rashiti
Situata kritike me zjarret në fshatin Nikushtak. Për shuarjen e flakëve në terren janë angazhuar ekipet e zjarrfikësve e pyjeve kombëtare. Nga Qendra për Menaxhim me Kriza kanë njoftuar edhe për ndërhyrje nga ajri. Ndërkohë Drejtori i Drejtorisë për Mbrojtje dhe Shpëtim, Stojançe Angellov foli për rrezikun e përhapjes në fshatrat përreth.
“81 ton ujë u hodhën në vendin ku filloi zjarri, por përsëri u përhap, doli jashtë kontrollit dhe po lëviz në drejtim të manastirit mbi fshatin Mateç. Ekziston mundësia që sot të rrezikohen edhe fshatrat përreth, por edhe aty do të përqëndrojmë mjaft njerëz, mjaft pajisje për mbrojtjën e fshatrave.” – Stojançe Angellov, Drejtori i Drejtorisë për Mbrojtje dhe Shpëtim.
Deri në mesditë në territorin e vendit janë regjistruar 10 zjarre në të hapur. 6 zjarre aktive janë në Komunën e Prilepit, Makedonski Brodit, Komunën e Likovës, atë të Studeniçanit, Krushevës dhe Kërçovës. Zjarri në zonën e Komunës së Dellçevës po mbahet nën kontroll, ndërsa 3 vatra shuar. Ndërkohë kryeministri, Hristijan Mickoski tha se janë marrë masa për angazhimin e më shumë personave për të ndihmuar në përballimin e situatës me zjarret.
“Këtë vit u pranuan 300 vullnetarë në kuadër të Drejtorisë për Mbrojtje dhe Shpëtim, me kontrata pune për një periudhë të caktuar gjatë sezonit. Angazhimi i tyre, kuptohet, është i rregulluar nga Drejtoria për Mbrojtje dhe Shpëtim, diçka që deri më tani, në të kaluarën, nuk ishte bërë asnjëherë” – Hristijan Mickoscki, Kryeministri i Maqedonisë së Veriut.
Autoritetet u bënë thirrje qytetarëve për kujdes maksimal. Të shmangin lëvizjet e panevojshme në zonat e prekura dhe të respektojnë çdo udhëzim nga institucionet kompetente.
The post Situatë kritike në Nikushtak, flakët luftohen nga toka dhe ajri appeared first on Alsat.



