S’ka rehati në shkolla – Mësimdhënësit kundërshtojnë ofertën e Qeverisë

Gazetare: Melihate Rustemi

Godina e SASHK-ut u bllokua nga një grup mësimdhënësish të cilët refuzojnë marrëveshjen e arritur dje në Qeveri mes Sindikatës dhe Qeverisë për rritjen e pagave prej 12 %, e cila rritje do të reflektohet në pagën e muajit korrik, shkruan Alsat.

Mësimdhënësit brohoritën se do të vazhdojnë me grevë dhe nuk heqin dorë nga kërkesat e tyre.

Para tyre doli kreu i sindikatës Jakim Nedellkov duke sqaruar se marrëveshja e djeshme është arritur vetëm me fjalë ndërkohë që i mbetet Këshillit të Sindikatës të vendosë nëse greva do të vazhdojë të jetë aktive ose do të ndërpritet.

“Sindikata me 50 plus një votë do të vendosë nëse do ta pranojë apo refuzojë ofertën. Dhe për këtë, të jeni të sigurt se pa asnjë manipulim, vendimet e anëtarësisë do të jenë publike dhe transparente”, tha Jakim Nedellkov, kryetar i SASHK-ut.

Kritika në drejtim të SASHK-ut kanë ardhur thuajse nga të gjitha qytetet. Mësuesi nga Tetova, Satki Ismaili tha për Alsat se 10 ose 12 % nuk ndryshojnë asgjë standardin e një mësuesi.

“Kjo ofertë, kjo marrëveshje nuk është e pranueshme për disa arsye. Nuk jemi mësimdhënësit ne ata të cilët me të vërtet refuzojmë gjithçka mirëpo bëhet fjalë për afatin, afati kohor i cili është diku për katër muaj…Pjesa dërmuese e shkollave në Tetovë veç e kanë refuzuar një ofertë të tillë, duhet të merret seriozisht çështja e kësaj greve. Një 10% ose 12 % nuk do ta ndryshoj situatën, atë që mendojmë se ne duhet ta bëjmë. Mësimdhënësi jeton sot për sot, nuk janë pas katër muajve, përfaqësuesit e SASHK-ut këtë duhet ta kenë parasysh, e fundja fjalën përfundimtare e kanë mësimdhënësit”, u shpreh Satki Ismaili, mësues.

Naser Ajdini, kryetar i SASHK-ut në Likovë tha se është përmbushur vetëm 50% e qëllimit dhe synimit të sindikalistëve të arsimit.

“Ato qëllime që i synonim, të themi 50 % mund t’i llogarisim si të arritura edhe pse nuk janë të kënaqshme. Duke marr parasysh jetën, ekonominë e gjitha rrethanat nuk është boll e kënaqshme meqë kërkesa jonë ishte hartuar për 18,4 %. Tash Qeveria arsyetimet e tyre ne arsyetimet tona, shohim më tutje”, theksoi Naser Ajdin, kryetar i SASHK-ut, Likovë.

Greva në arsim e nisur që nga 11 prilli i këtij muaji tashmë ka hyrë në javën e tretë duke lënë nxënësit jashtë procesit edukativ arsimor./ Alsat.mk

më të fundit

MARKETING

- Advertisement -Newspaper WordPress Theme

më shumë

- Advertisement -Newspaper WordPress Theme