S’ka vota për demarkacion, pa Listën Serbe

“Ende s’kemi konsensus me Listën Serbska. Nuk e di a do të kemi apo jo, por sot për sot kemi marrëveshje vetëm me LDK”, kishte thënë mbrëmë Ramush Haradinaj, kryeministër i Kosovës.

Projektligji për marrëveshjen e demarkacionit pritet të hidhet në votim të mërkurën, por koalicioni qeverisës ende nuk i ka votat për ta miratuar atë.

Marrëveshja e arritur ndërmjet partive në pushtet dhe LDK-së për demarkacionin, nuk ka lëkundur qëndrimin kundërshtues të Vetëvendosjes.

Përmes një kumtese për media, kjo parti vlerëson se marrëveshja ia humb Kosovës 8 mijë e 200 hektarë tokë dhe si e tillë, është krim e tradhti për vendin.

“E kanë shtuar fjalën “si orientim” për raportin e Komisionit Bulliqi, duke dashur ta krijojnë përshtypjen që edhe po e përfshijmë Raportin që akuzon e rrënon Komisionin Meha, edhe të mos e marrim seriozisht atë. Kështu nuk shkruhen e nuk bëhen ligjet. Ky pazar fjalësh na i humbet 8,200 hektarë njësoj. Ky Projektligj ishte i padrejtë dhe i dëmshëm e tani bëhet edhe më i keq pas këtyre akrobacioneve; ai është krim dhe tradhti që duhet kundërshtuar e nuk duhet legjitimuar. Lëvizja Vetëvendosje nuk do ta votojë këtë Projektligj të dëmshëm”, thuhet në deklaratën e Vetëvendosjes.

Por, koalicioni qeverisës, duket se ka telashe edhe me deputetët e tyre për ta votuar demarkacionin.

Deputeti i PDK-së Nait Hasani, nuk e përkrah marrëveshjen e arritur mes partive politike për demarkacionin.

“Është veprim politik edhe ajo marrëveshje është e partive politike dhe jo-shtetërore. Duhet ta analizoj atë marrëveshje, sepse projektligji është ndryshuar çdo ditë. Ende nuk jam përcaktuar se si të votoj, por ajo marrëveshje nuk ma ka mbushur syrin”, ka thënë Nait Hasani, deputet i PDK-së.

Deputetja, Donika Kadaj Bujupi, e cila u largua nga funksionet partiake brenda Vetëvendosjes, ka thënë shkurt se do të votojë kundër ratifikimit të demarkacionit.

Kohavisioni ka kontaktuar edhe me deputetët Dardan Molliqaj, Dukagjin Gorani e Shqipe Pantina, por nuk kanë kthyer përgjigje se si do të votojnë të mërkurën.

Përgjigje nuk kanë dhënë as deputetët e Listës Serbe.

Bazuar në deklarimet publike, koalicioni qeverisës ka 79 vota për projektligjin e demarkacionit, çka nuk janë të mjaftueshme që ai të kalojë në Kuvend.

Vetëvendosje – 32 deputetë

LDK -27 deputetë

PDK – 23 deputetë

AAK – 10 deputetë

Lista Serbe – 10 deputetë

Nisma – 6 deputetë

Grupi 6 plus – 6 deputetë

Pa grup parlamentar – 6 deputetë

më të fundit

MARKETING

- Advertisement -Newspaper WordPress Theme

më shumë

- Advertisement -Newspaper WordPress Theme