Gazeta Online Reporteri.net dje e publikoi përmbajtjen e mesazhit të kandidatit për deputet të Lidhjes Demokratike të Kosovës, Shkëmb Manaj, i cili e dërgoi me 3 mars 2025 në grupin e komunikimit të brendshëm, në “WhatsApps”, të anëtarëve të kryesisë qendrore të LDK-së, ku akuzoi bashkëpartiakët, që janë edhe pjesë e Kryesisë Qendrore të LDK’së, se ia vodhën mandatin e deputetit.
Manaj në mesazhin e tij për anëtarët e kryesisë së LDK-së thotë se e njoftoi kryetarin për manipulimet e procesit zgjedhor brenda listës zgjedhore të partisë, me theks të veçantë në votimet me postë.
Akuzat e Manajt të 3 marsit 2025, në grupin në “WhatsApp”, por edhe ato që u thanë në mbledhjen e 10 marsit të kryesisë së LDK-së, u mbështeten edhe nga deputeti Abdullah Hoti e Arben Gashi, merr vesh gazeta online Reporteri.net.
“S’kam koment”, ka thënë shkurt Gashi për Reporteri.net.
Gazeta Online Reporteri.net ka tentuar të marrë një përgjigje edhe nga deputeti i zgjedhur, Avdullah Hoti, por ai nuk është përgjigjur as në thirrjen telefonike, por as në mesazhin që i është dërguar.
Kujtojmë se pakënaqësitë e tij Hoti i shfaqi në një reagim publik më 18 mars 2025.
“Në votimin me postë, disa kandidatë të listës së LDK-së janë votuar po ashtu joproporcionalisht krahasuar me votimin në Kosovë…Ky fenomen ka krijuar pasiguri në gjithë procesin zgjedhor. Përtej kësaj, në rastin e LDK-së është lënduar kohezioni i brendshëm i strukturave të partisë, si dhe është cenuar besimi i votuesit tradicional të LDK-së dhe integriteti që ka pasur shtëpia jonë politike për 35 vite”, shkroi Hoti në Facebook.
Nga ana tjetër, për akuzat e Manajt në “WhatsApp” por edhe pretendimet tjera të ngritura për manipulim të votave të Diasporës u njoftua edhe Prokuroria e Shtetit e cila më 26 mars 2025 ka konfirmuar se ka filluar hetimin.
“Prokuroria Themelore në Prishtinë e ka autorizuar Policinë e Kosovës në grumbullimin dhe verifikimin e informacioneve. Mirëpo, në këtë fazë të procedurës nuk mund të jepen detaje më të hollësishme sepse mund të cenohet procesi hetimor”, njoftoi të mërkurën Prokuroria Themelore e Prishtinës.
Gazeta Online Reporteri.net merr vesh se pjesë e dosjes tashmë është edhe mesazhi i brendshëm i Manajt, që ka rrjedhë në duart e Prokurorisë së Shtetit. Për këtë është në dijeni edhe vetë Shkëmb Manaj, ndonëse thotë se nuk është ftuar ende për intervistim rreth pretendimeve.
“Jo nuk jam ftu ende [për intervistim]”, tha për Reporteri.net nënkryetari i ri i Prishtinës.
Sipas rezultateve përfundimtare të Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, Manaj ka marrë 17 mijë e 305 vota në zgjedhjet e 9 shkurtit.
Pos brenda LDK-së, akuza për manipulim me votat e Diasporës ka ngritur edhe Lëvizja Vetëvendosje e cila pasi ka humbur betejat e saj për këto vota në PZAP e Gjykatë Supreme, të enjten i është drejtuar Gjykatës Kushtetuese./Reporteri.net/.