GJKKO ka caktuar masën e sigurisë arrest me burg, për Marklen Hakën, i arrestuar dy ditë më parë në kuadër të operacionit Revanshi.
Para trupit gjykues, Haka ka deklaruar se nuk ka përdorur aplikacionin SKYECC, ndërsa nuk ka pranuar akuzat e ngritura nga SPAK, mes tyre edhe akuzën e tentativës për vrasje të Durim Bamit.
“Nuk kam konflikte me asnjë”, mësohet se ka thënë Markel Haka.
I shpëtoi 2 atentateve
Marklen Haka, në shtator të vitit 2019 i ka shpëtuar një atentati në derë të shtëpisë së tij, ku mbeti e vdekur halla e tij, Shpresa Basha. Ndërsa ai arriti të shpëtonte vetëm me një plumb në krah. Objektiv i atentatit ishte vetë Marklen Haka, ndërsa halla e tij dyshohet se ishte qëlluar aksidentalisht pasi kishte hapur derën e jashtme të shtëpisë, në momentin kur ishte qëlluar për vdekje me armë zjarri.
Marklen Haka ka qenë i arrestuar më herët për një vrasje të ndodhur në Qershor të viti 2011 në zonën e ish-Bllokut në Tiranë, por ishte liruar për mungesë provash.
Më 8 qershor 2022, ai i shpëtoi një tjetër atentati, në hyrje të fshatit Nikël në Fushë-Krujë por shpëtoi, duke marrë një plumb në nofull.
Në janar të 2022 ai u prangos nga RENEA-s pas një operacioni që çoi në arrest 19 persona.