Skandalet e Vettingut/ Rastet problematike mes gardianëve të drejtësisë së re

Vettingu ose siç njihet ndryshe rivlerësimi kalimtar i gjyqtarëve dhe i prokurorëve është një proces i ndërmarrë me qëllim reformimin e drejtësisë, duke rritur interesin e qytetarëve se më në fund, pas gati tre dekadash me zvarritje, praktika korruptive dhe të padrejta në proceset hetimore apo gjyqësore, hallet e tyre në dyert e drejtësisë do të merrnin fund.


Mirëpo, që prej fillimit të të ashuquajturës ‘Reformë në Drejtësi’, organet e vettingut u ngritën me vonesë, pasi me fillimin e punës së tyre ato u përballën me një ngarkesë voluminoze, për shkak të hetimit administrativ që vetë këto organe kryejnë në drejtim të vlerësimit të pasurisë, kontrollit të figurës dhe vlerësimit të aftësive profesionale të gjyqtarëve dhe prokurorëve.

FRIKA NGA VETTINGU SOLLI DORËHEQJET E PARA:

Nisja e punës së Vettingut u shoqërua me dy rastet e para të dorëheqjes nga funksioni, përkatësisht nga një gjyqtar i Gjykatës Kushtetuese, Besnik Imeraj dhe ish-Prokurori i Përgjithshëm, Adriatik Llalla, të cilët bënin pjesë në kategorinë e subjekteve që kanë përparësi në procesin e vettingut.

Por, sa mund të bëhet Vettingu dhe sa mund ta përmbushë qëllimin e tij madhor ky proces, nëse prej tij largohen pikërisht njerëzit e drejtësisë që janë të korruptuar, me lidhje të papërshtatshme me krimin e organizuar dhe të paaftë profesionalisht.

Megjithatë, edhe pse u has fillimisht me disa vështirësi dhe situata dyshuese, Vettingu mori jetë dhe menjëherë filluan goditjet e para në rangjet e gjyqtarëve dhe prokurorëve, të cilët u konstatuan me shkelje të mëdha gjatë ushtrimit të detyrës dhe me pasurinë e tyre, që nuk gjente shteg ku të justifikohej.

Këtu kujtojmë shkarkimin e Ardian Hajdarit dhe Luan Dacit, shkarkime, të cilat dëshmojnë se procesi i rekrutimit të “gjyqtarëve” ka ceduar mjaft rëndë, gjithashtu edhe strukturat përzgjedhëse dhe monitoruese. Për të mos lënë pa përmendur edhe pushimet luksoze të trupës së KPK në një prej komplekseve më luksoze në vend, ‘Marina Bay’, financimi i së cilës u bë një një sponsor i panjohur.

SPAK E MERR SI TË PANDEHUR, PEZULLOHET NGA DETYRA GJYQTARI I KPA:

Ardian Hajdari, anëtari i Kolegjit të Posaçëm të Apelimit (KPA) u mor i pandehur në vitin 2020 për veprën penale të “Falsifikimit” të dokumentave, me të cilët ka aplikuar për një pozicion në institucionin e shkallës së dytë të Vetingut. Hajdari është kallëzuar penalisht në qershor 2020 nga ish-magjistratët Antoneta Sevdari, Elsion Sadiku dhe Ervin Metalla. Në kallëzimin e tyre, tre ish-magjistratët akuzonin Ardian Hajdarin se kishte falsifikuar dokumentat e aplikimit për në Kolegjin e Posaçëm të Apelimit, pasi ai nuk plotësonte kriterin e kërkuar për ushtrimin e funksioneve prej të paktën 15 vjet si jurist.

Ardian Hajdari ishte relator i procesit për masë disiplinore ndaj kolegut të tij, Luan Daci. Me vendim tëtij, KPA shtyu përkohësisht shkarkimin e Dacit, edhe kur ai u dënua me një vit burgim, të konvertuar në shërbim prove, me vendim të formës së prerë nga Gjykata e Apelit e Krimit të Organizuar dhe Korrupsionit.

KPA vendosi të hënën më 7 shkurt të pezullojë nga detyra anëtarin Ardian Hajdari. Hajdari është marrë i pandehur nga SPAK. Ardian Hajdari është anëtari i dytë i Kolegjit që pezullohet, pas Luan Dacit i cili dhe u shkarkua pasi u deklarua fajtor me vendim të formës për falsifikim të formularit të aplikimit për një pozicion në institucionet e vetingut.

DËNOHET GJYQTARI I VETTING-UT, FALSIFIKOI DOKUMENTET. PËR 12 MUAJ DO JETË NË SHËRBIM PROVE:

Luan Daci u shpall fajtor dhe u dënua nga gjashtë muaj burg në 12 muaj shërbim prove. Vendimi për Dacin u mor më 1 dhjetor të vitit 2020. Por edhe pse u deklarua fajtor për falsifikim të dokumentave Luan Daci këmbëngulte se nuk e ka fshehur përjashtimin nga drejtësia në vitin 1997 përderisa gjatë garës për në vetting askush nga komisioni ad hoc nuk e kishte pyetur.

Por për prokurorinë e posaçme SPAK fshehja e të vërtetave gjatë një garë siç është vettingu është falsifikim dokumentash dhe ndaj gjatë shpalljes së pretencës u kërkua nga akuza një vit burgim. Luan Daci dhe avokati i tij pranuan se do ta apelojnë çështjen, e cila më herët përplasi të dyja shkallët e gjyqësorit gjatë fazës së masave personale.

Shkalla e parë gjatë hetimit paraprak vendosi masën e pezullimit nga detyra e gjyqtarit Daci, që u hodh poshtë nga apeli me argumentin se nuk kishte vepër penale.

Gjyqtari i Kolegjit të Posaçëm të Apelimit, Luan Daci, që prej fillimit të procesit të vettingut ka qenë pjesë e 84 proceseve gjyqësore për gjyqtarë dhe prokurorë, ku janë marrë 38 vendime të formës së prerë.

Luan Daci ka qenë pjesë e trupës gjykuese, që kanë dhënë vendimin për emra të njohur të drejtësisë, të cilët janë jashtë sistemit, si ish-kryetar i Kushtetueses, Bashkim Dedja, apo ish-kreu i Gjykatës së Lartë Xhezair Zaganjori, ish-kryeprokurori Adriatik Llalla,  dy ish-anëtarët e Këshillit të Lartë të Prokurorisë Antoneta Sevdari dhe Besnik Cani.

SKANDALI I KPK NË LUKSIN E MARINA BAY, NJË SPONSOR PRIVAT PAGOI PËR AKTIVITETIN:

Në fund të shtatorit, Komisioni i Pavarur i Kualifikimit e zgjodhi resortin luksoz si destinacion për zhvillimin e analizës së punës së vet 4-vjeçare me procesin e vetingut si dhe sfidat e pritshme deri në fund të mandatit. Aktiviteti me temë “Raport dhe Strategji” u zhvillua më 30 shtator, por dymbëdhjetë komisionerët e KPK-së dhe tre pjestarë të stafit administrativ u akomoduan në hotel për dy net fjetje dhe u kthyen në Tiranë më 1 tetor.

Të pranishëm në aktivitet ishin edhe tre vëzhgues të Operacionit Ndërkombëtar të Monitorimit si dhe dy përkthyes të tyre. Por ndryshe nga anëtarët e KPK-së, ata nuk i shijuan shërbimet e luksit të hotelit për “arsye etike”.

“Vëzhguesit ndërkombëtarë nuk qëndruan në resortin luksoz për arsye etike, pasi sipas rregullores, nuk u lejohet që të qëndrojnë në hotele që vlerësohen mbi nivelin mesatar të zonës ku gjenden,” i tha BIRN në kushtet e anonimatit një burim në dijeni të aktivitetit.

Të dhënat e siguruara nga BIRN përmes kërkesave për të drejtë informimi tregojnë se të gjitha shpenzimet për akomodimin, ushqimin, qiranë e sallës së konferencave dhe kostot e aktivitetit të KPK-së u paguan nga një kompani private – duke ngritur shqetësime edhe për konflikt të mundshëm interesi.

“Marina Bay” është një ndër komplekset më të shtrenjta në bregdetin e Vlorës dhe jashtë sezonit të verës ofron dhoma që variojnë nga 72 euro [me pamje nga rruga] deri në 171 euro [suita deluxe].

Sipas BIRN, Komisioni i Pavarur i Kualifikimit tha se të gjitha shpenzimet e aktivitetit kishin kushtuar në total 300 mijë lekë, ndërkohë që, refuzoi të bënte publike emrin e kompanisë private dhe pronarët e saj, duke përdorur si pretekst një klauzolë konfidencialiteti në marrëveshjen e sponsorizimit të lidhur mes tyre.

HISTORIKU 4-VJEÇAR I VETTINGUT, KPK ENDE LARG PËRFUNDIMIT TË PROCESIT:

Komisioni i Pavarur i Kualifikimit u ngrit në vitin 2017 si institucioni kyç i reformës në drejtësi, me qëllimin e pastrimit të gjyqtarëve dhe prokurorëve të korruptuar si dhe rikthimin e besimit të publikut te sistemi i drejtësisë.

Më pak se një vit nga përfundimi i mandatit kushtetues, KPK është ende larg përfundimit të procesit të vettingut për magjistratët në Shqipëri. Një nismë për zgjatjen e mandatit të KPK-së deri në përmbylljen e plotë të procesit është duke u shqyrtuar aktualisht nga Kuvendi i Shqipërisë.

Përgjatë historikut 4-vjeçar të vetingut, shumë magjistratë kanë dhënë llogari përballë KPK-së dhe janë penalizuar me shkarkim për dhuratat apo sponsorizimet e përfituara nga personat e tretë, të cilat janë vlerësuar në dritën e konfliktit të mundshëm apo në dukje të interesit si dhe cenimit të besimit të publikut te drejtësia.

më të fundit

MARKETING

- Advertisement -Newspaper WordPress Theme

më shumë

- Advertisement -Newspaper WordPress Theme