Prodhuesit gjermanë të automjeteve kanë konfirmuar se hulumtuesit i kanë përdorur njerëzit dhe majmunët për t’i testuar efektet shëndetësore të djegies së karburantit.
Volkswagen, BMW dhe Mercedes financuan një studim të vitit 2014, në të cilin majmunët e mbyllur u detyruan të thithnin tymin e lëshuar nga djegia e naftës në një Volkswagen.
E përditshmja amerikane “New York Times” raportoi e para për këtë hulumtim të prodhuesve gjermanë.
Studimi thuhet se ishte pjesë e një përpjekjeje për të dëshmuar se motorët e rinj ishin më të pastër se ata paraprakë, transmeton KTV.
Volkswagen tha se studimi është autorizuar nga Grupi i Kërkimit Evropian për Mjedisin dhe Shëndetin në Sektorin e Transportit.
Ndërkohë, qeveria gjermane i ka dënuar këto testime.