Kuvendi me 96 votë për dhe asnjë kundër, miratoi propozimin për formimin e Komisionit anketues për skandalin në Onkologji. Për kryetare të këtij trupi anketues u zgjodh deputetja e VMRO-DPMNE-së, Rashella Mizrahi e cila sot njoftoi se mbledhja e parë e komisionit do të mbahet të enjten. Mizrahi tha se para syve të opinionit, në mënyrë transparente dhe me prezencë të publikut, cila do që do të jetë, e vërteta për onkologjinë do të dalë në shesh.
“Në këtë shtet, kurimi në spital zgjidhet me porosi SMS dhe donacione të grumbulluara përmes rrjeteve sociale. Skandali në onkologji njollosi të gjithë mjekët në shtet. Për shkak të dashakeqësisë së individëve, po digjet i njomi përskaj të thatit”, deklaroi Rashella Mizrahi, Deputete e VMRO-DPMNE-së. /Alsat.mk