Një nga skandalet më tronditëse në sistemin shëndetësor britanik ka rikthyer debatin për sigurinë e foshnjave në spitale. Pas hetimit për ngjarjet në Countess of Chester Hospital, ku infermierja Lucy Letby u dënua për vrasjen e shtatë foshnjave dhe tentativën për të vrarë shtatë të tjera, qeveria britanike ka njoftuar vendosjen e kamerave monitoruese pranë krevateve të foshnjave në reparte.
Sipas akuzave për të cilat Letby është dënuar, ajo u shkaktonte foshnjave kolaps duke ndërhyrë në mënyrën sesi ato merrnin oksigjen.
Në disa raste, ajo u injektonte ajër në enët e gjakut, duke shkaktuar emboli, ndërsa në raste të tjera përdorte insulinë për të ulur në mënyrë të rrezikshme nivelin e sheqerit në gjak te foshnjat që nuk kishin nevojë për insulinë.
Ajo u shpall fajtore për vrasjen e shtatë foshnjave dhe tentativën për vrasjen e shtatë të tjerave. Letby po vuan 15 dënime me burgim të përjetshëm pa mundësi lirimi dhe në dy raste i është refuzuar leja për të apeluar dënimet.
Hetimi ka zbuluar ndërkohë dështime të rënda të menaxhimit të spitalit dhe të sistemit NHS. Raporti kritikon faktin se shqetësimet për sigurinë e foshnjave nuk u trajtuan me seriozitet dhe se drejtuesit që dështonin shpesh transferoheshin në poste të tjera, në vend që të mbanin përgjegjësi.
Ish-drejtorja ekzekutive e trustit, Susan Gilby, e përshkroi organizatën si “krejtësisht jofunksionale” dhe tha se kur mori detyrën në vitin 2018 kishte frikë se disa prej vdekjeve mund të ishin parandaluar. Sipas saj, siguria e pacientëve duhet të ishte pyetja e parë në çdo vendimmarrje, por në atë kohë kjo pyetje nuk bëhej.
Edhe Shoqata Mjekësore Britanike ka kërkuar reforma të thella në NHS, duke theksuar nevojën për mbrojtje më të fortë të mjekëve dhe punonjësve që denoncojnë problemet e sigurisë.
The post Skandali që tronditi Britaninë/ Infermierja vrau 7 foshnja, maternitetet pajisen me kamera appeared first on Gazeta Shqiptare Online.



