Mediumi slloven Planet TV raportoi këtë të enjte për një skandal të madh financiar në të cilin dyshohet së është përfshirë edhe ambasadori i Kosovës në Kroaci, Martin Berishaj. E premtja, pasoi me deklarata të shumta që kërkonin dorëheqjen e ambasadorit dhe me të atilla që e mbronin atë. Vetë ambasadori Martin Berishaj ka mohuar akuzat e mediumit slloven.
Ishin pikërisht opozita si dhe analistë e gazetarë ata që kërkuan dorëheqjen e ambasadorit Berishaj, por në anën tjetër krerët e vendit, Albin Kurti dhe Vjosa Osmani mbronin ambasadorin Martin Berishaj.
Çka u raportua dhe si u reagua për skandalin e Martin Berishajt?
Mediat sllovene zbuluan të enjten skandalin financiar, në të cilin dyshohet se janë përfshirë Robert Golob, kryetar i Partisë së Lirisë dhe ambasadori i Kosovës në Koraci, Martin Berishaj.
Këto akuza i ka mohuar vetë ambasadori në një postim të bërë në Facebook të premten në Facebook, teksa ka shtuar se do të padisë mediumin slloven.
“Pavarësisht nga fushata parazgjedhore në Slloveni dhe ballafaqimi i fundit i mbrëmshem në mes akterve kryesor politik, i z. Janša dhe z. Golob, ku u mohua shkrimi i Planet tv lidhur me emrin tim, nga sot, padia ime kunder portalit ne fjalë, hap rrugë per fjalen e fundit gjykatës. Nuk është e drejtë të jemi thjesht të sigurtë në drejtësi dhe në të vërtetë. Duhet edhe ta mbrojmë drejtësinë dhe te vërtetën. Përndryshe shpifjet bëhen normale”, shkroi ai në Facebook.
Presidentja e vendit, Vjosa Osmani, ishte e para e cila i doli në mbrojtje ambasadorit Martin Berishaj. Ajo deklaroi se i beson Berishajt duke thënë se vetë ai i ka mohuar në tërësi këto fjalë.
Osmani i ka kërkuar Berishajt që të kthehet në Kosovë si dhe raport mbi këtë çështje.
Ndërkohë, që kreu i vendit, Albin Kurti, deklaroi se Qeveria është deklaruar për këtë çështje. Kurse, zëdhënësi Përparim Kryeziu në Facebook njoftoi se po presin për prova.
Deklarata të njëjta janë dhënë edhe nga Ministrja e Punëve të Jashtme, Donika Gërvalla, e cila ka thënë se i beson ambasadorit Martin Berishaj.
Që të tre nuk kanë pohuar se do të ketë një shkarkim të këtij të fundit. Kurse, partitë opozitare tashmë bëjnë thirrje që Berishaj të shkarkohet.
Nënkryetari i PDK-së, Bernard Nikaj, tha se Berishaj duhet të dorëhiqet pasi e ka dëmtuar funksionimin e diplomacisë kosovare në Kroaci e Slloveni.
Nikaj ka theksuar se në këtë moment nuk është me rëndësi nëse Berisha është fajtor apo i pafajshëm, por është me rëndësi dëmi që skandali në të cilin ai është përfshirë mund t’i shkaktojë Kosovës në sferën ndërkombëtare.
Kurse, deputetja e kësaj partie Ariana Musliu – Shoshi, ka deklaruar se nëse akuzat ndaj ambasadorit Berishaj konfirmohen, atëherë dorëheqje duhet të jap edhe presidentja e vendit Vjosa Osmani.
Kurse, kreu i AAK-së Ramush Haradinaj i është drejtuar kryeministrit Kurti me 10 pyetje pas këtij skandali.
“Pse njeriu yt po përflitet të jetë pjesë e skandalit financiar të një kompanie mafioze energjetike? Fol Kryeministër. Shpjegoja popullit ku je ti në këtë histori?”, ka shkruar Haradinaj në Facebook.
Shkarkim të Martin Berishajt ka kërkuar edhe ish-ministri i Arsimit, Jusuf Thaçi. Sipas tij ambasadori Berishaj duhet të shkarkuar sepse diplomacia e shtetit të Kosovës është damkosur.
“Pavarësisht kësaj, ambasadori i Kosovës në Kroaci duhet të shkarkohet menjëherë nga kryeministri Kurti, jo duke paragjykuar që ai është fajtor për akuzat, por për shkak shteti i Kosovës, përfaqësimi e diplomacia e tij, është damkosur dhe do të vazhdojë të jetë i damkosur nga ky skandal publik derisa të zbardhet e vërteta për rastin në fjalë (cilado qoftë ajo)”, shkruan ndër të tjera ai në Facebook.
Kurse, gazetari Berat Buzhala, i ka adresuar dje një pyetje presidentes Osmani, pasi kjo e fundit deklaroi se i beson Martin Berishajt.
“Vjosa Osmani: Ne i besojmë ambasadorit Martin Berishaj, ai i ka mohuar të gjithë akuzat. Pse s’po i besoni Thaçit e Veselit?”, shkruan Buzhala në Twitter.
Paparaci ka kontaktuar dje me Prokurorinë Speciale të Sllovenisë të cilët i kanë thënë mediumit se rasti i përfshirjes së dyshuar të ambasadorit Martin Berishaj në një skandal financiar, nuk është nën hetime penale.
Ata kanë shtuar se nuk janë duke i trajtuar pretendimet e publikuara të enjten
Televizioni slloven, në kronikën e transmetuar pasditen e së enjtes, tregonte se në xhirollogarinë MB Consulting, e regjistruar në Mal të Zi, nga një kompani serbe, janë derdhur në baza të rregullta prej 5 mijë deri në 50 mijë euro, për çdo muaj. Pronari i vetëm i kompanisë MP Consulting, në bazë të dokumentacionit zyrtar, është Martin Berishaj.
Televizioni slloven ka raportuar se një pjesë e dokumentacionit të siguruar tregon se ngjarja në fjalë është shtrirë në vitet 2019 dhe 2020.
“Pagesat janë kryer nga dega për Serbi e GEN (kompani energjetike) te kompania private MB Consulting në Mal të Zi, me të cilën kompani GEN ka marrëveshje për këshillime. Janë realizuar pagesa mujore prej 5 deri në 55 mijë euro në muaj, ose gjithsej mbi gjysmë milioni euro”, raporton media sllovene.
© SYRI.net