Skandaloze: Mishi i prishur i pulës i kompanive braziliane që u ndalua nga BE shitet në Kosovë

20 kompani braziliane do të fshihen nga lista e bizneseve që kanë eksportuar mish në 28 vende të Evropës. Ky vendim u mor pas mangësive që u evidentuan gjatë sistemit të kontrollit zyrtar brazilian. Kompanitë e mishit nuk kanë përmbushur kërkesat e BE’së, të cilat ishin përpiluar pas një auditimi të kryer. Periskopi ka gjetur se disa nga kompanitë e penalizuara eksportojnë mish edhe në Kosovë. ‘Sadia’, është një nga këto lloje mishi, prezent në shumicën e marketeve në vendin tonë.

Pas 15 ditëve, rreth 20 kompani braziliane nuk do të munden ta eksportojnë në Evropë mishin e pulës.

Kjo pasi Bashkimi Evropian ka marrë vendim për penalizimin e këtyre thertoreve.

Vendimi erdhi një vit pasi në Brazil shpërtheu një skandal, ku Policia zbuloi se eksportues potencialë të mishit korruptonin inspektorë të shërbimeve të higjienës për të standardizuar mishin e prishur sikur të ishte brenda normave për konsum, shkruan Periskopi.

“Mund t’ju konfirmojmë se përfaqësuesit e vendeve të Evropës kanë votuar unanimisht që 20 kompani braziliane që eksportonin mish, sidomos atë të pulës, të ndalohen. Kjo masë e propozuar nga Komisioni Evropian ka të bëjë me mangësitë që janë zbuluar nga sistemi zyrtar i kontrollit sanitar në Brazil”, thuhet në një deklaratë të Komisionit Shëndetësor Evropian.

Në mesin e kompanive që u penalizuan janë edhe dy markat e BRF’së, që është prodhuesi më i madh në botë i mishit të pulave. Markat e kësaj kompanie, Sadia dhe Perdigao eksportojnë mishin e tyre edhe në Kosovë, raporton Periskopi.

Mishi i kompanisë ‘Sadia’ që vie nga Brazili, gjendet pothuajse në të gjitha pikat shitëse në Kosovë.

Madje, është një ndër mishrat e pulës më të konsumuarat nga qytetarët.

Edhe Kompania tjetër braziliane ‘JBS SA’ ka qenë një kompanitë më të mëdha eksportuese të mishit në Evropë.

Ajo është njëra nga 20 kompanitë, të cilave u është ndalur eksporti.

Mishi i kësaj kompanie është eksportuar edhe në Kosovë.

Nuk dihet se deri kur do të zgjasë kjo masë ndaluese e BE’së ndaj kompanive braziliane. Burime brenda Bashkimit Evropian i  kanë thënë TV Globo se kjo masë mund të zgjasë me vite, derisa kompanitë të krijojnë një normë të pranueshme me standardet e BE’së për eksportimin e mishit të pulës.

Mediet ndërkombëtare raportojnë se pas këtij vendimi të BE’së, aksionet e kompanive kanë pësuar rënie të madhe.

Brazili është eksportuesi më i madh i pulave në botë, ndërsa Bashkimi Evropian është blerësi kryesor i saj./Periskopi

më të fundit

MARKETING

- Advertisement -Newspaper WordPress Theme

më shumë

- Advertisement -Newspaper WordPress Theme