Skema e mashtrimit/ U vodhi klientëve rreth 1 milion euro, ‘gabimi’ që zbuloi ish-drejtorin e Bankës në Devoll

Ish-drejtori i një banke në Devoll përfundoi në prangat e Policisë, pasi Gjykata e Apelit la në fuqi dënimin e tij me 9 vite e 4 muaj burg. Ervin Çokani, 45 vjeç, banues në Bilisht, ishte liruar me kusht deri në përfundim të procesit gjyqësor. Por, Apeli ka lënë në fuqi vendimin e dhënë nga Gjykata e Rrethit Gjyqësor Korçë, në vitin 2016.


“Specialistët e Seksionit për Hetimin e Krimeve ndaj Personit, Pasurisë, të Miturve dhe Dhunës në Familje në DVP Korçë, bënë ekzekutimin e urdhrit të Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Korçë, për ndalimin e shtetasit Ervin Çokani, 45 vjeç, banues në Bilisht. Gjykata e Apelit Korçë, me vendimin e datës 15.03.2022, ka vendosur lënien në fuqi të vendimit datë 20.07.2016, të Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Korçë, e cila e ka dënuar këtë shtetas me 9 vite e 4 muaj burg për veprën penale ‘Vjedhja e bankave dhe arkave të kursimit’, kryer më shumë se një herë, me pasoja të rënda”, sqaroi Policia.

SKEMA E VJEDHJES

Ish-drejtori i Bankës së Nivelit të Dytë të Devollit, u arrestua më 22 prill të vitit 2015, pasi akuzohej për vjedhje dhe falsifikim dokumentesh. Nga hetimet e Prokurorisë ka rezultuar se ky shtetas u ka marrë 26 klientëve shuma financiare me vlerë totale rreth 945 mijë euro.

Prokuroria pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Korçë nisi në atë kohë procedimin penal ndaj shtetasit Ervin Çokani, me detyrë drejtor i Degës Bilisht i Bankës “xxxxx” sh.a. Pas denoncimeve të bëra ndaj tij, banka e pezulloi nga detyra. Nga hetimet ka rezultuar se Çokani ka qenë drejtor i degës së bankës për një periudhë 10-vjeçare, duke nisur nga data 1 nëntor 2005 e deri në shkurt 2015.

Banka është vënë në dijeni të veprimeve të parregullta në degën e qytetit të Bilishtit, nëpërmjet ankesës së klientit të saj S.D. Ky i fundit është paraqitur në datë 2.2.2015, në Degën e qytetit Korçë dhe ka kërkuar të verifikojë ekzistencën e depozitave bankare me afat, të cilat pretendohej se ishin çelur prej tij në degën e qytetit të Bilishtit, në momente të ndryshme kohore.

Nga personeli i bankës është konstatuar fakti se librezat e kursimit të paraqitura nga ky klient përmbanin shuma parash, depozita me afat, të cilat nuk rezultonin në sistemin kompjuterik të bankës.

Pretendimi i klientit është dokumentuar edhe në deklaratën e plotësuar prej tij në datë 2.2.2015, ka pasqyruar numrin e depozitave dhe shumat e pretenduara prej tij pranë bankës.

“Nga ana e punonjësve të bankës është marrë kontakt me të dyshuarin Ervin Çokani, i cili para autoriteteve të bankës ka pranuar përvetësimin e shumës së depozituar nga S.D, si dhe shuma të tjera të konsiderueshme nga klientë të tjerë. Në lidhje me këto fakte, shtetasi Ervin Çokani ka përpiluar deklaratën e datës 4.2.2015, në të cilën ka deklaruar se përveç shumave të depozituara nga shtetasi S.D, ka përvetësuar edhe nga 9 klientë të tjerë shumat e depozituara në bankë. Ky përvetësim shumash është kryer nëpërmjet veprimeve të paautorizuara të mbylljes së parakohshme të depozitave me afat të klientëve, disbursimit të kredive fiktive të pengëzuara me depozita me afat, disbursimit të të paktën një kredie konsumatore fiktive, si dhe nëpërmjet debitimit të llogarive rrjedhëse dhe depozitave elastike të klientëve. Shuma totale e veprimeve të paautorizuara debitore e përfshirë në këtë skemë mashtrimi është 945 583 euro, nga të cilat 160 mijë e 196 euro janë ricikluar brenda skemës nga i dyshuari Ervin Çokani për të mbuluar gjurmët”, thuhet në dosjen e Prokurorisë.

Ky aktivitet i jashtëligjshëm, ka nisur më 16 janar të vitit 2008 dhe ka vazhduar deri më 29 dhjetor 2014. Gjatë kësaj kohe, Ervin Çokani ka ngritur dhe ushtruar një skemë mbivendosjeje borxhi, e cila përfshin mbyllje para afatit të depozitave me afat, disbursim të kredive fiktive me peng mbi depozitë me afat, disbursimin e të paktën një kredie konsumatore fiktive, si dhe prekje të vazhdueshme të llogarive të klientëve. (panorama)

më të fundit

MARKETING

- Advertisement -Newspaper WordPress Theme

më shumë

- Advertisement -Newspaper WordPress Theme