Skema e re, gati brenda muajit tetor! Ministri i Financave: Jo vetëm indeksim, po përgatitet tjetër bonus për pensionistët

BESARTA BASHA/ Reforma e pensioneve do të jetë gati më herët nga sa u premtua. Në daljen e tij të parë si ministër i Financave, Petrit Malaj deklaroi sfidën kryesore të ndërmarrë prej tij, çështjen e pensioneve, të cilën premton ta adresojë brenda muajit tetor.


pensioniste

Por, nuk do të mjaftohet me kaq. Falë të ardhurave buxhetore të kënaqshme, një tjetër bonus do të jepet për pensionistët deri në fund të vitit. Që prej fillimit të vitit, qeveria deklaroi reformimin e skemës së pensioneve, me asistencën e ekspertëve të Bankës Botërore, e cila synon të amortizojë diferencën e madhe midis pensioneve të lidhura në kohë të ndryshme si dhe midis pensioneve qytet-fshat.

SKEMA E PENSIONEVE

E ka cilësuar një sfidë të tijën personale dhe prioritet pune rritjen e pensioneve ministri Malaj. Ndonëse pranoi që nuk është në ditët e saj më të mira, premtoi se do të bëjë çmos që brenda muajit të ardhshëm të zgjidhë të gjitha problematikat që lidhen me të.

“Foksi kryesor i punës ime do të jetë edhe përmirësimi i nivelit të pensioneve. E kam sfidë personale adresimin e çështjes së pensioneve, e cila na prek të gjithëve. Nuk ka asnjë lloj ngjyrimi politik, as majtas as djathtas sepse të gjithë kemi prindër e gjyshër në familjet tona. Është një çështje për të cilën po punojmë me Ministrinë e Ekonomisë, Kulturës dhe Inovacionit. Besoj që brenda muajit tetor do të kemi definuar diçka për të adresuar problemin e pensioneve, por jo vetëm pensionet, por gjithë skemës që nuk është në kushtet më të mira të saj. Na duhet një skemë vizibile që siguron pensione më të larta për njerëzit. Problem është skema aktuale e pensioneve që do të duhet ta rishikojmë. Kemi ngritur grupet e punës dhe po punojmë me ekspertë të Bankës Botërore. Këtu flas jo vetëm për indeksimin e pensioneve”, deklaroi ministri i Financave.

BONUS PER PENSIONISTËT

Në vijim të gatishmërisë për të përmirësuar jetën e një prej shtresave më të margjinalizuara të shoqërisë, siç janë pensionistët, ministri i Financave deklaroi se përpos indeksimit që është detyrim vjetor, një tjetër bonus (lë të nënkuptuar një vlerë më të madhe se vitet e shkuara) do të jetë gati gjithashtu për ta deri në mbyllje të këtij viti.

Në muajin tetor është parashikuar të bëhet indeksimi i pensioneve me një vlerë prej 4.1 miliardë lekë, por ministri la të kuptohej që po punohet për diçka më shumë. Pa zbuluar shumë detaje tha se grupet e punës po punojnë me synim pensione më të larta.

“Besoj që kushtet i kemi që të adresojmë jo vetë pjesën e indeksimit të pensioneve, edhe bonusin që marrin pensionistët, por jemi në diskutime që të shohim edhe diçka më tepër për pensionistët”, tha Malaj në konferencën e parë vjetore.

Sipas ministrit, në 7-mujorin e parë të vitit, mbi tetë mijë kontribuues të rinj janë shtuar në skemën e sigurimeve shoqërore, çka premton për përmirësimin e skemës së pensioneve. Nga ana tjetër, të dhënat zyrtare nga Instituti i Sigurimeve Shoqërore, tregojnë se deri në qershor 2023, numri i pensionistëve përfitues ka arritur në 713.333 individë, me një rritje prej 8334 përfitues më shumë se fund viti që lamë pas.

/Gazeta Panorama

më të fundit

MARKETING

- Advertisement -Newspaper WordPress Theme

më shumë

- Advertisement -Newspaper WordPress Theme