Euro Day
Trafikim kokaine dhe heroine, njerëzish, zhvatje. Asnjëherë mafia shqiptare nuk ka pasur një ndikim të tillë në rrjetet kriminale në Belgjikë. Në librin e tij “Kodi Kanuni”, i cili del në tetor, gjyqtari hetues Michel Claise detajon mënyrat me të cilat klanet shqiptare kanë vendosur kontrollin mbi një pjesë të mirë të trafiqeve. Provë e këtij pozicioni thuajse monopolizues është mafia shqiptare me bazë në Bruksel, e cila orkestroi trafikimin e një ton kokaine të kapur në një avion privat që fluturonte nga Brazili në aeroportin Zaventem janarin e kaluar.
“Gjatë udhëtimit tim, u largova me libra të shkrimtarit Ismail Kadaré, një nga shkrimtarët më të mëdhenj në botë, i cili e përshkruan shumë mirë vendin e tij. Në romanin “Prilli i thyer” flitet për diçka tmerrësisht tematike që ne në vendin tonë nuk e kuptojmë, aktivitetin e të cilit nuk mund ta perceptojmë. Është Kanuni, kodi zakonor shqiptar, prej nga e merr titullin edhe libri im”, vazhdon. “Është interesante të shohësh se si kjo botë paralele ekziston në shoqërinë tonë. Ne ecim ngjitur me të pa e kuptuar që ka pasoja të tmerrshme ekonomike”.
Konkretisht, Kanuni është kodi i nderit që drejton të gjithë shoqërinë në veri të Shqipërisë. “Këto janë kodet që organizojnë hakmarrjen, jetën e përbashkët, marrëdhënien me gratë. Por edhe fakti që krimet e gjakut duhet të shlyhen gjithmonë me gjak. Është jashtëzakonisht e kodifikuar. Fakti për të mos u kthyer më kurrë pas fjalës së dhënë dhe për të detyruar njerëzit në familje të vrasin ata që kanë vrarë. Është një detyrim”, vijon Michel Claise. “Pasojat e Kanunit ndihen rregullisht në Belgjikë. Në vitin 2019, në Molenbeek pati një larje hesapesh për paratë e trafikut të drogës pas një konflikti me mafien marokene. Një djalë që mori 12 plumba. Kjo është pika e fillimit të librit tim”.
Gjatë gjithë punës së tij, gjyqtari hetues shqyrton llojet e ndryshme të krimeve specifike të mafies shqiptare. “Përveç trafikimit të qenieve njerëzore dhe mbetjeve, sigurisht që ka edhe trafikun e heroinës, kokainës dhe kanabisit. Ballkani ka qenë gjithmonë një pikë tranziti për opiumin nga Kina dhe Afganistani. Ka një njohje të fortë mes komunitetit shqiptar dhe mafiozëve të mëdhenj të Amerikës së Jugut. El Chapo, për shembull, ka punuar me shqiptarët”, vazhdon ai
Libri përshkruan edhe penetrimin e mafies shqiptare në portin e Anversës, ku kalojnë transit tonelata kokaine. “Ajo që më intereson është pastrimi i parave. Bëhet në një mënyrë shumë klasike, me transportim me kamionë në Shqipëri, ku krijohen kompanitë. Nuk ka kontroll për pastrim parash. Pastrimi lehtësohet edhe nga korruptimi i policisë dhe doganierëve, të cilët mbyllin sytë në shkëmbim të pagesave të mëdha”, shton Michel Claise. “Ndikimi i mafies shqiptare në rrjetet kriminale në Belgjikë ka vazhduar të rritet në vitet e fundit”.
© SYRI.net