Skenari i dhimbshëm kundër Kosovës dhe deklaratat skandaloze të Daçiqit / Analistët japin emrat e ish-krerëve që rrezikuan vendin

Ardhja e kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti, në krye të dialogut po del se nuk i ka pëlqyer aspak palës serbe.

Kryetari i Kuvendit të Serbisë dhe lideri i Partisë Socialiste Serbe të Millosheviqit, Ivica Daçiq, së fundi ka thënë se “nga bisedimet e delegacioneve të Kosovës dhe Serbisë nuk mund të pritet ndonjë rezultat kapital, por se është me rëndësi se ato po zhvillohen”.

Ai deklaroi se në të kaluarën e kishin më lehtë që të bisedonin në dialog me Hashim Thaçin, pasi ai bënte kompromise, për dallim që tani në krye të bisedimeve është kryeministri Albin Kurti.

Njohësit e fushës konsiderojnë se mjerisht ish-krerët e vendit me aventurat e tyre të rrezikshme, kishin degjeneruar dialogun deri në atë masë, sa që krijuan edhe përshtypjen te një pjesë e opinionit se normalizimi i marrëdhënieve me shtetin okupator serb, mund të arrihej vetëm përmes ndarjes së Kosovës.

Ndërsa, tani janë të mendimit se me Albin Kurtin kryeministër që e drejton dialogun dhe nuk pranon kompromise siç është bërë më herët nga krerët e mëparshëm, dialogu mes të dy vendeve përfundimisht po bie në binarë. Andaj edhe nuk parashikojnë ndonjë përfundim në dëm të Kosovës.

Bytyçi: Dialogu nuk do të përfundojë me kompromise në dëm të Kosovës

Në lidhje me deklaratat e fundit të kryetarit të Kuvendit të Serbisë, Ivica Daçiq, ka folur për “Bota sot”, profesori universitar Enver Bytyçi.

Bytyçi është i mendimit se dialogu midis Kosovës dhe Serbisë tashmë është në binarët e duhur, dhe krejt kjo, sipas tij, me diplomacinë e zgjuar të kryeministrit Kurti e ka futur atë në hullinë e interesave të Kosovës dhe të së drejtës.

Image

Enver Bytyçi

“Devijimi i bisedimeve në interesin kombëtar të Kosovës ishte e duhej të ishte objektivi i parë i qeverisë së re të zotit Kurti. Në dy raundet e para ai po këmbëngul në këtë objektiv, duke ngrit qarkun e një marrëveshjeje për stabilitet, siguri e paqe midis të dy vendeve. Dhe më pas për të vijuar me temat e tjera që kërkojnë përgjigje e zgjidhje. Por, presidenti i Serbisë refuzon çdo propozim të palës nga Kosova. Ai ishte mësuar të pranonte të gjitha propozimet e mëparshme, kur delegacionin e Kosovës e drejtonte Hashim Thaçi, sidomos në tri vitet e fundit të tyre. Gjatë tri viteve, të dy presidentët, ai i Kosovës dhe ai i Serbisë, dilnin në konferenca shtypi të përbashkëta. I bënin bisedimet direkt pa pasur nevojë që dikush tjetër të aranzhonte agjendën e këtyre bisedimeve. Flisnin në telefon drejtpërdrejt dhe përmes telefonit i merrnin vendimet, ndërsa në Bruksel shkonin vetëm për të dalë të qeshur para kamerave, ose për të shtrënguar duart e rrahur shpatullat e njëri-tjetrit”, ka thënë Bytyçi.

Ai tregon se Kosova dhe shqiptarët për vite më radhë ishin mësuar të shihnin takime në të cilat Kosova ishte jo vetëm e injoruar, por edhe në kushte vasaliteti ndaj Serbisë dhe presidentit të saj, Aleksandër Vuçiq.

“Presidenti i Serbisë, Aleksandër Vuçiq i thoshte ish-presidentit të Kosovës, Hashim Thaçit, “Mos fol publikisht për çka kemi folur në bashkë në fshehtësi”. Pikërisht këtë atmosferë dhe përulje të ish-presidentit të Kosovës e pranon hapur vetë kreu i Kuvendit të Kosovës, Ivica Daçiq, kur thotë se “Më lehtë ishte të bisedoje me Hashim Thaçin, pasi ai bënte kompromise”. Në fakt fjala kompromis është një fjalë shumë e bukur. Por, kjo vlen vetëm në rastet kur bëhet drejtësi. Dhe nuk ka e nuk mund të ketë drejtësi kur një agresor si Serbia, e cila e ka masakruar një popull të tërë, shqiptarët, vetëm pse ata janë të një etnie jo-serbe, kërkon të cenojë territorin ose të defunksionalizojë shtetin e Kosovës! Kjo nuk është drejtësi. Drejtësi ishte pajtimi p.sh gjermano-francez i pas Luftës së Dytë Botërore. Atëherë Franca pranoi pajtimin me Gjermaninë. Por, vetëm pasi Gjermania pranoi fajin e kryer dhe ndëshkimin e autorëve të krimit”, tha ai.

Profesori Bytyçi madje është i mendimit se në rastin e Kosovës me Serbinë agresorët janë shndërruar në procesin e bisedimeve në viktima, ndërsa viktima, pra Kosova, u shndërrua në fajtore të dhunës serbe kundër shqiptarëve, e për krejt këto, Bytyçi drejton gishtin te Thaçi, Rama e Haxhiu.

“Për këtë pati një kontribut të jashtëzakonshëm Hashim Thaçi bashkë për Edi Ramën dhe Baton Haxhiun. Tani ne jemi në fazën e parë të bisedimeve ndryshe. Sigurisht që udhëheqësit serbë do të duhet ta kenë kohën e duhur për t’u mësuar me këtë mënyrë, me kërkesat e drejta të Kosovës, të përfaqësuar në dialog nga Albin Kurti. Nuk do të ambientohen menjëherë. Është një përmbysje konceptesh, metodash, pikëpamjesh, parimesh në dialog”, shprehet ai.

Kurse, ka shtuar se për shkak të zhvillimeve të kaluara e lëshimeve të krerëve shqiptarë bisedimet do të shtyhen, do të marrin kohë më të gjatë.

“Presidenti serb i mësuar të diktojë e të blejë “shqiptarët e mirë” si Edi Rama e Hashim Thaçi, nuk e ka të lehtë të përballet me dikë tjetër, si Albin Kurti. Prandaj, dhe bisedimet do të shtyhen, do të marrin kohë më të gjatë sa e mendojnë disa burokratë të Brukselit apo të Tiranës. Kjo do të thotë se duhen hulumtuar alternative tjera për konfirmimin e plotë të pavarësisë dhe shtetësisë së Kosovës. Kjo edhe si presion ndaj Serbisë. Një deklaratë e sotme e presidentit të Turqisë për ta ndihmuar Kosovën për shtimin e njohjeve ishte vërtet shpresëdhënëse. Vetëm se në Beograd do ta shfrytëzojnë kohën që ta “zbusin” kryeministrin Kurti. Për këtë kanë nxit njerëzit e Thaçit e të Isa Mustafës që të shtojnë presionin brenda vendit. Zotit Hoti i plasi pushka para iftarit, në vend që të priste e t’i përshëndeste e mbështeste qëndrimet e kryeministrit”, ka shtuar Bytyçi.

Mirëpo, profesori universitar konsideron se dialogu mes Kosovës dhe Serbisë nuk do të përfundojë me kompromise në dëm të Kosovës, së paku jo derisa në krye të këtyre do të jetë kryeministri Albin Kurti.

“Ndërsa, për ish-ministrin e Drejtësisë së Thaçit, zotin Tahiri, nuk pritet ndonjë akt mençurie, përveçse destruktivizmit. Që kur ai zëvendësoi Hajredin Kuçin, u duk se Thaçit i duhej dikush si drejtues i këtij dikasteri që të hapte rrugën juridike për marrëveshjet anti-Kosovë të tij me presidentin serb, Aleksandër Vuçiq. U zgjodh prej Thaçit për besnikërinë ndaj idesë anti-shqiptare të ndarjes së Kosovës. Dialogu do të vazhdojë edhe për inat të besnikut anti-shqiptar të Thaçit në PDK, zotit Tahiri. Por, nuk do të përfundojë me kompromise në dëm të Kosovës. Së paku deri tani nuk ka asnjë shenjë se mund të ndodhë kjo”, ka theksuar profesor Bytyçi, për gazetën “Bota sot”.

Qarri: Kuislingu Hashim Thaçi, SHIK-u & Co, me aventurat e tyre të rrezikshme, degjeneruan dialogun

Ndërsa, njohësi tjetër i zhvillimeve politike në vend, Gani Qarri, ka thënë për gazetën “Bota sot” se Hashim Thaçi me bashkëpunëtorët e tij dhe me aventurat e tyre të rrezikshme kishin degjeneruar dialogun deri në atë masë, sa që parashikohej se fundi i tyre mund të vinte vetëm përmes ndarjes së Kosovës.

Image

Gani Qarri

“Mjerisht kuislingu Hashim Thaçi, SHIK-u & Co, me aventurat e tyre të rrezikshme, degjeneruan dialogun deri në atë masë, sa që krijuan edhe përshtypjen te një pjesë e opinionit se normalizimi i marrëdhënieve me shtetin okupator serb, mund të arrihej vetëm përmes ndarjes së Kosovës dhe faljes së pjesëve më vitale të vendit tonë, Serbisë okupatore. Por duke parë kundërshtimin e fuqishëm të qytetarëve, në fund, ata kamufluan ndarjen si shkëmbim territoresh. Për aq më tepër, përveç ndarjes së Mitrovicës menjëherë pas lufte dhe legalizimit të dëbimit me dhunë, të dhjetëra mijëra shqiptarëve nga Veriu i Kosovës, me 2013 Thaçi nënshkroi edhe krijimin e asociacionit një etnik serb, nënshkrim i cili u përsërit dhe zgjerua me kompetenca shtetërore, me 2015 nga Isa Mustafa,për këtë të ashtuquajtur asociacion,i cili u dëshmua se ishte edhe kundër-kushtetues, prej kur edhe u lejuan ndërtimet ilegale të lagjeve serbe me nga 300 shtëpi e më tepër për kolonizimin e veriut”, ka deklaruar Qarri.

Sa i përket deklaratave të Daçiqit, Qarri shprehet se kryetari i Kuvendit të Serbisë për shkak të lëshimeve të Thaçit dhe të tjerëve kishte arsye të mendonte se me këta të fundit e kishte më të lehtë të dialogonte.

“Krejt kjo kishte për qëllim, që sa më parë, ndarja e Kosovës të bëhej akt i kryer, ndaj pas faljes së 8300 hektarëve tokë Malit të Zi, më 2018 Thaçi në njërën anë, kërkoi ndihmën e ndërkombëtarëve për ndarjen e Kosovës, në anën tjetër përmes këshilltares së tij dhe ministres së ashtuquajtur “për integrime evropiane” Dhurata Hoxha u paguan edhe firma të huaja si ajo franceze “Majorelle PR & Event” me qindra mijëra euro të taksapaguesve të varfër kosovar, për propagandimin e ndarjes së Kosovës kudo në botë. Ndaj, kryetari i Kuvendit të Serbisë Ivica Daçiq, vërtetë ka arsye të forta, të thotë se me Thaçin ishte shumë më lehtë të dialogohej, pasi që ai bënte kompromise, të cilat fatkeqësisht edhe sot vazhdojnë të prodhojnë pasoja dhe të jetësohen në terren, siç është kolonizimi i Veriut të Kosovës me ardhacak serb nga Bosnja e Kroacia”, tha ai.

Ai madje mendon se për shkak të marrëveshjeve të dëmshme të Thaçit, shteti serb vazhdon të ndërtojë ilegalisht në veri të vendit.

“Për fatkeqësinë e shqiptarëve të pambrojtur të veriut, serbët e ardhur nga Kroacia dhe Bosnja duke qenë kriminel profesionist, u përdorën nga Serbia për spastrimin e trevave të banuara me shqiptar ne veri dhe me marrëveshjet e Hashim Thaçit, Serbia edhe sot vazhdon të ndërtojë ilegalisht në këtë pjesë të vendit tonë, ku ditët e fundit përfunduan punimet në lagjen me mbi 300 shtëpi, të ashtu quajtur “Lugina e Diellit”, për ti bërë me shtëpi kriminelët që dëbuan shqiptarët nga veriu edhe në tokat që iu grabitën shqiptarëve”, ka vlerësuar Qarri.

“Kështu që pas deklarimit në Kuvend të ministrit të Mjedisit, Planifikimit Hapësinor dhe Infrastrukturës, Liburn Aliut se ndërtimet ilegale në Veri nga Serbia, është vërtetuar që janë të kundërligjshme, Qeveria e re duhet ti ndalojë urgjentisht ato dhe ta bëjë regjistrimin e popullsisë atje, për të parë se kush në realitet jeton në atë pjesë të vendit tonë dhe sa serb vendorë janë në veri, në mënyrë që pas 22 vitesh, të vendoset rendi e ligji dhe ndërpriten ndërhyrjet e Serbisë, ngrehinat ilegale të së cilës, në bazë të marrëveshjeve të nënshkruara nga Thaçi dhe Isa Mustafa, ende vazhdojnë të mbijnë si kërpudhat pas shiut”, tha tutje Qarri.

Krejt në fund, njohësi i çështjeve politike, Gani Qarri, ka nënvizuar se me kryeministrin Kurti në krye të dialogut do të bie në binarë dialogu mes Kosovës dhe Serbisë.

“Vetëm në këtë mënyrë, pa Thaçin, do të binte në binarë dialogu Kosovë-Serbi, me Kurtin kryeministër që tani drejton bisedimet duke mos pranuar kompromise në dëm të vendit, siç është bërë më herët nga Hashim Thaçi e Isa Mustafa, që do të ishte edhe një humbje e madhe dhe dështim përfundimtar i Serbisë okupatore për ndarjen e vendit tonë, e cila përkundër krimeve të luftës dhe gjenocidit të shkaktuar ndaj mijëra shqiptarëve të pambrojtur, ende shpreh publikisht, pretendime territoriale për gllabërimin e tokave më vitale të Kosovës”, ka përfunduar analisti politik, Gani Qarri për gazetën “Bota sot”.

më të fundit

MARKETING

- Advertisement -Newspaper WordPress Theme

më shumë

- Advertisement -Newspaper WordPress Theme