Skenari i LDK-së për zgjedhje të reja. Para se të shkojë me mocion, partia e Mustafës ka një kërkesë nga partitë!

Deputetja e Lidhjes Demokratike të Kosovës, Besa Gaxherri ka thënë se LDK po kërkon një tryezë më të gjitha partitë që te caktohet data e zgjedhjeve të jashtëzakonshme.

Gaxherri tha për “Gazeta Blic”, se gjëja e parë që po kërkon LDK është që në mënyrë demokratike të kërkojë zgjedhje të reja në vend, pastaj nëse një gjë e tillë nuk ndodhë të vazhdohet me mocion.

“Ashtu siç jemi deklaruar edhe zyrtarisht si Grup Parlamentar i Lidhjes Demokratike dhe si Kryesi e Lidhjes Demokratike ne po kërkojmë një tryezë me të gjitha partitë politike që ta caktojmë datën e zgjedhjeve pa presion dhe që t’i radhisim para datës së zgjedhjeve disa çështje të tjera të rëndësishme për vendin, këtë po e kërkon në radhë të parë LDK”, ka deklaruar Gaxherri.

Ajo ka thënë se qëllimi i opozitës është të bashkohet t’i ketë 61 vota për mocion dhe të insistohet që Lista Serbe të mos jetë pjesë e kësaj iniciative.

“Në qoftë se partitë politike në pushtet nuk janë të gatshme që të ulemi për të mirën e vendit atëherë normal që neve na imponohet më bë mocion e mocioni duhet t’i ketë 61 vota. Si opozitë e kompletuar pra ne duhet t’i kemi 61 vota dhe kuptohet që nuk mjaftojnë sepse ne nuk kemi insistuar dhe nuk do të insistojmë me pasë edhe Listën Serbe në këtë mocion për arsye se duhet t’ia bëjmë të qartë Beogradit se nuk mund të ndërhyjë në Kosovë për çështje me rëndësi për vendin ashtu edhe sikur po ndërhynë”, është shprehur ajo.

Besa Gaxherri

“Duke pasur parasysh që kjo Listë është bërë vegël apo objekt i politikës shumë të pa pranueshme për Kosovën të Beogradit, atëherë ne do të tentojmë të kemi vota jashtë kësaj Liste për ta rrëzuar Qeverinë”, tha deputetja e LDK-së.

Duke folur për qeverinë aktuale, Gaxherri ka thënë se kjo qeveri tashmë është e rrëzuar sepse nuk ka as numrat e mjaftueshëm që të funksionojë.

“Në aspektin tjetër qeveria është e rrëzuar, nuk i ka numrat dhe nuk mund të funksionojë. Do të kishte qenë mirë që në rend të parë t’i vëmë çështjet me rendësi për vendin e pastaj të vendosim për zgjedhje në këtë vit sepse kjo qeverinë nuk mund të vazhdojë me këtë numër që ka qeverisjen”, ka përfunduar ajo.

Ndryshe, kryetari i Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti ka thënë se partia që ai drejton është për zgjedhje të parakohshme parlamentare dhe për mocion për rrëzimin e qeverisë.

Shkrimi i plotë i Kurtit: 

“U bënë katër javë prej se Lëvizja VETËVENDOSJE! (LV) ka shprehur qëndrimin e saj se kjo qeveri ka rënë moralisht dhe ajo duhet të bie edhe me numra. Nenad Rikallo e Milan Radojçiq, shtimi enorm i posteve qeveritare dhe rritja e pagave vetvetes, diskreditimi i arsimit tonë nga BE-ja dhe rritja e papunësisë, Contour Global dhe ‘Demarkacioni’, e deri te dëbimi tinëz, në shkelje të ligjit e të drejtave të njeriut i 6 shtetasve turq, përgjegjësinë për të cilin nuk po e merr asnjë institucion i Kosovës, janë vetëm disa prej arsyeve pse kjo qeveri e shtrenjtë duhet të largohet”.

“Interpelancat për temat e ndryshme dhe Komisionet Hetimore Parlamentare që kemi iniciuar janë dëshmi e opozitarizmit tonë dhe dëmeve të kësaj qeverie që duhet të shkojë.LV është për zgjedhje të parakohshme parlamentare sa më parë dhe për mocion për rrëzimin e qeverisë”.

“Shumica dërrmuese e popullit dhe shumica e deputetëve të Kuvendit janë në opozitë me këtë qeveri. Mbetja e kësaj qeverie në pushtet është dhunim i demokracisë qytetare e parlamentare, i vullnetit të popullit e i interesit të përgjithshëm. Nuk mund të mbetet shteti e populli peng as të qejfit të kryeministrit dhe as të frikës së presidentit”, ka shkruar Kurti në Facebook, përcjell Gazeta Blic.

Në anën tjetër “Gazeta Blic”, ka tentuar të kontaktojë edhe me Kryetarin e Grupit të Deputetëve të Pavarur, Dardan Sejdiu mirëpo ky i fundit nuk i është përgjigjur thirrjeve të redaksisë.

Kujtojmë se Lista Serbe është larguar nga Qeveria Haradinaj, pas arrestimit të zyrtarit serb, Marko Gjuriq, madje kryetari i Listës, Goran Rakiq ka paralajmëruar institucionet kosovare që me 20 prill do të formohet Asociacioni i Komunave me Shumicë Serbe.

Në anën tjetër, kryeministri Ramush Haradinaj ka thënë se pret reflektim nga Lista Serbe dhe se ajo do t’i kthehet prapë qeverisë që ai udhëheq.

Koalicioni qeverisës aktualisht ka vetëm 52 vota. Por një gjë e tillë nuk po e brengos, kryeministrin e vendit sepse ai është shprehur i bindur që edhe nëse Lista Serbe nuk i ribashkohet, ai ka përkrahjen e disa grupeve parlamentare shqiptare.

më të fundit

MARKETING

- Advertisement -Newspaper WordPress Theme

më shumë

- Advertisement -Newspaper WordPress Theme