Skepticizëm për një marrëveshje Kosovë-Serbi brenda këtij viti

Heqja e barrierave tregtare hapi mundësinë që përfaqësuesit e të dy palëve, Kosovës dhe Serbisë, të ulen përsëri në tryezën e dialogut, dhe data e parë e mundshme thuhet se është pas zgjedhjeve të 21 qershorit që do të mbahen në Serbi.

E derisa kreu i shteti të Kosovës, Hashim Thaçi është shprehur optimist se marrëveshja përfundimtare mes Kosovës dhe Serbisë mund të arrihet brenda këtij viti. Njohës të zhvillime politike në vend shprehen skeptik se një marrëveshje e tillë mund të kryhet gjatë 2020-s.

Aktualisht, sipas tyre, duhet pritur nëse SHBA-të janë të interesuara përnjëmend që ta kenë një rezultat në dialogun Kosovë-Serbi para zgjedhjeve të nëntorit

Imer Mushkolaj, njohës i çështjeve politike, duke folur për lajmi.net ka thënë se arritja e marrëveshjes nuk varet as prej presidentit as prej Kosovës, duke shtuar se, në një farë forme, i është lënë Shteteve të Bashkuara të Amerikës.

“Arritja e marrëveshjes nuk varet prej presidentit, nuk varet as prej Kosovës. Të mos harrojmë se në këtë rast Kosova vetëm po pret se çfarë po ndodh me dialogun. Do me thënë në njëfarë forme i është lënë Shteteve të Bashkuara të Amerikës edhe iniciativa edhe procesi, kështu që nuk varet prej nesh. Zakonisht për arsye politike, respektivisht për korrektesë politike thuhet se vendosin palët se kur do të fillojë dialogu, por ne e dimë se nuk është kështu. Kështu që duhet me prit nëse SHBA-të janë të interesuara përnjëmend që ta kenë një rezultat në dialogun Kosovë-Serbi para zgjedhjeve të nëntorit, atëherë marrëveshja mund të mbërrihet shpejtë”, thotë Mushkolaj.

Ai thotë se mund të arrihet ndonjë marrëveshje e cila ka në fokus aspektin ekonomik, por jo marrëveshja për të cilën është folur gjatë gjithë kësaj kohë. Derisa shton se nëse SHBA-të janë të interesuara që kjo marrëveshje të arrihet, siç tha ai, ajo do të arrihet me çdo kusht para zgjedhjeve të nëntorit.

“Nuk e di nëse mund të mbërrihet marrëveshja përfundimtare, mund të mbërrihet një marrëveshje unë besoj, por që nuk mund të jetë ajo përfundimtarja. Pra mund të ndodhë që të arrihet një marrëveshje e cila më shumë e ka në fokus aspektin ekonomik, bashkëpunimin ekonomik, investime ndërkombëtare etj, etj., por jo ajo (marrëveshja) për të cilën kemi folur gjatë gjithë kësaj kohe. Por po them, nëse SHBA-të janë të interesuara që kjo marrëveshje të arrihet ajo do të arrihet me çdo kusht para zgjedhjeve të nëntorit. Po që se nuk janë të interesuara në kuptimin që mbase për politikën e vetë të jashtme kanë fituar kredi të tjera nga marrëveshjet që i kanë arritur nëpër botë gjatë këtij katër vjeçari të Presidencës Trump, atëherë mund të ndodhë që edhe të mos mbërrihet brenda këtij viti”, ka thënë tutje Mushkolaj.

Ndersa, Visar Xhambazi, nga organizata Demokracia për Zhvillim, thotë se përkundër faktit se heqja e barrierave ka krijaur kushte për rifillimin e dialogut, kjo nuk do të thotë që marreveshja finale është afër.

Sipas tij, ballafaqimi me të kaluarën është vital për arritjen e një marrëveshjeje finale gjithëpërfshirëse, prandaj ka pak shprese që këto sfida të zgjidhen në tersi brenda muajve të ardhshëm.

“Kosova dhe Serbia nuk janë ulur në tryezën e bisedimeve gati dy vite si rezultat i kampanjës serbe për tërheqjen e njohjeve të pavarësisë së Kosovës si dhe tarifave doganoare ndaj produkteve serbe. Emërimi i emisarëve të posaçëm nga SHBA dhe BE; vendimi i Qeverisë Hoti për pezullimin e reciprocitetit; si dhe raportimet së Serbia do ta ndaloje fushatën ndaj Kosovës ka krijuar një kushte më të favorshme për rifillimin e bisedimeve. Megjithatë, kjo nuk do të thotë që marrëveshja finale është afër. Serbia nuk e njeh Kosovën dhe e konsideron si pjesë përbërëse të territorit të saj. Serbia nuk ka shprehur keqardhje apo kërkim falje për krimet e bëra në Kosovë, ndërsa reparacionet e luftës mbetën larg në horizont. Ballafaqimi me të kaluarën është vital për arritjen e një marrëveshjeje finale gjithëpërfshirëse, prandaj ka pak shprese që këto sfida të zgjidhen në tersi brenda muajve të ardhshëm”, ka thënë Xhambazi.

më të fundit

MARKETING

- Advertisement -Newspaper WordPress Theme

më shumë

- Advertisement -Newspaper WordPress Theme