Viti që lamë pas ka qenë vërtet i vrullshëm për Bardhin, por edhe plot me surpriza të bukura. Reperi dha për herë të parë një intervistë, duke u ndalur tek karriera, por edhe tek vështirësitë deri tek lindja e vajzës. Bardhi ndaloi edhe njëherë tek kënga “Çikës tem” dhe komentet e shumta që ajo këngë mori.
“Ne kemi një publik, që kur nuk i pëlqen dikush, e shan gjithmonë çfarëdo që bën ai. Por është një përqindje shumë e vogël dhe jeta vazhdon edhe pas atyre. Unë nuk jam viktimizuar në asnjë pikë në atë këngë. Në momentin që e kam bërë këngën, kam qenë 101% real. Në atë kohë jam ndierë ashtu, tjetër gjë është që unë e kam nxjerrë këngën në shtator, pasi kisha punuar gjithë verën. Nuk ka qenë viktimizim, kam hapur zemrën me publikun, diçka që nuk e bën as 10% e estradës. Edhe i kam pritur komentet, sepse kur ia kam treguar këngën Sarës dhe familjes më thanë që mos e nxirr, sepse po tregon një pikë të dobët. Por doja ta nxirrja, ta ndaj me publikun, edhe vajza ime të ketë një motivim që mundesh të biesh në jetë, mund të ngrihesh, por s’ka gjë”.
Më tej artisti zbulon për herë të parë momentin kritik, ku edhe mendoi të heqë dorë nga muzika.
“Isha brenda një oferte biznesi në Tiranë, doja të hapja një biznes të ri, me rroba. Në muzikë nuk kisha të drejtë as të nxirrja këngë në YouTube, as të shkoja në koncert. Po mendoja a ta lë muzikën dhe të merrem me këtë gjë, sepse muzika nuk po më sillte asnjë përfitim, po shkonte gjithnjë e më keq, nuk shikoja zgjidhje. E mendova disa ditë ta lë muzikën, por nuk mund të vendosja. Sa shkoja në studio, thashë nuk mund ta lë. Biznesin nuk e fillova fare, thashë po vazhdoja me muzikë”, përfundoi këngëtari.