Ekaterina Zaharieva
“Ne reagojmë në çdo rast dhe shpresojmë që të mos ndodhë më. Mbi 100,000 qytetarë kanë shtetësi bullgare dhe nganjëherë frikësohen të deklarohen. Është e papranueshme që në shekullin 21 të mos njohësh të drejtën e vetëdeklarimit”, ka thënë të martën shefja e diplomacisë bullgare në një intervistë për televizionin shtetëror bullgar (BNT).
Duke folur për politikën bullgare ndaj Maqedonisë së Veriut, Zaharieva ka thënë se Bullgaria ka një politikë të qëndrueshme ndaj Shhkupit dhe ka kërkuar drejtësi për bullgarët që jetojnë në Maqedoninë e Veriut.
Deklarata e saj ka ardhur pas një takimi të presidentit bullgar, Rumen Radev, dhe krerëve të shërbimeve të sigurimit të Bullgarisë për, siç është thënë, “mbrojtjen e pakicës bullgare në Maqedoninë e Veriut”.
Kreu i shtetit bullgar ka thënë se “institucionet duhet të marrin masa me kohë, për t’i mbrojtur në mënyrë adekuate të drejtat e shtetasve bullgarë jashtë vendit, kur ata sulmohen vetëm për shkak të vetëdijes së tyre kombëtare”.
Kryeministri i Maqedonisë së Veriut, Zoran Zaev, i ka mohuar akuzat e Sofjes, duke theksuar se “askujt në vend nuk i janë shkelur të drejtat, madje as qytetarëve që deklarohen si bullgarë”.
Maqedonia e Veriut dhe Bullgaria i kanë ftohur raportet që nga nëntori i vitit të kaluar, kur Bullgaria e ka bllokuar kornizës e negociatave midis Maqedonisë së Veriut dhe BE-së, deri në zgjidhjen e mosmarrëveshjeve që kanë të bëjnë me gjuhën, identitetin dhe aspektet historike. REL