Sonte në ora tre pas mesnate do të fillojë llogaritja dimërore e kohës. Akrepat e orës do të kthehen një orë mbrapa, gjegjësisht koha në ora tre do të llogaritet si ora dy.
E veçanta për vendin është se ndryshimi i kohës ndodh në natën e rrethit të dytë të zgjedhjeve lokale.
Përveç tek ne, llogaritjen dimërore të kohës do ta ndryshojnë edhe pjesa më e madhe e kontinentit evropian, përveç në Islandë, Rusi dhe Bjellorusi.
Llogaritja dimërore e kohës fillon çdo fundjavë të fundit në muajin tetor dhe zgjatë deri në fundjavën e fundit në mars të vitit të ardhshëm, kur sërish vjen llogaritja verore e kohës.
Parlamenti Evropian më 4 mars të vitit 2019 votoi për heqjen e ndryshimit sezonal të kohës nga viti 2021. Por Këshilli i BE-së ende nuk ka sjell vendim përfundimtar, ndaj nuk është plotësisht e sigurt se kjo do të jetë ndryshimi i fundit në BE.
Ndryshimi sezonal i kohës, përveç në Evropë, zbatohet edhe në shumë vende të Amerikës Veriore dhe Qendrore, si dhe në shumë vende të tjera të botës.
Koha nuk ndryshon në Japoni, Kinë, Korenë e Jugut e as në vendet e kontinentit afrikan.