Ka kaluar 1 vit nga krimi i rëndë në Prishtinë ku Liridona Ademaj u vra mizorisht me porosi të bashkëshortit të saj, Naim Murseli, ndërsa ende mbetet mister arsyeja kësaj ngjarje tragjike.
I vëllai, Leonard Ademaj ka kujtuar momentin kur i thanë lajmin e kobshëm se e motra kishte vdekur.
“Ende e mbaj mend sa e dhimbshme ishte ajo natë, sa më ishin lodhur sytë dhe zemra”, shkruan ai në një postim në rrjetet sociale, shoqëruar me një foto nga varri i së motrës.
Ai shprehet se Liridonës iu mor jeta në moshën më të mirë dhe në mënyrën më dinake.
“Më kujtohet ende se si për pak sa nuk më merrej fryma ndërsa po qaja, dhe se si po përpiqesha të ndaloja zhurmën që mund të bëja”, shkruan më tej ai.
Postimi i plotë:
Sot u bë 1 vit që nga vdekja jote motër.
Na mungon pa fund, malli për ty shtohet dita e dites e mungesa jote vrehet çdo moment.
Do të kujtojmë gjithmonë me mallë, si një motër e mrekullueshme, një vajzë e bukur, një Nënë fantastike, e një grua e fortë. Të moren nga ne në moshën me të mire, e në mënyren me dinake.
Ende e mbaj mend sa e dhimbshme ishte ajo natë, sa më ishin lodhur sytë dhe zemra.
Më kujtohet ende se si për pak sa nuk më merrej fryma ndërsa po qaja, dhe se si po përpiqesha të ndaloja zhurmën që mund të bëja.
Nuk do ta harrojmë kurrë sa e vështirë ishte për ne, nuk do ta harrojmë kurrë atë dhimbje.
Qofsh banore e Xhennetit Motër, të kujtojmë gjithmonë me mallë e dashuri familja Ademaj si dhe djemtë Diar dhe Dion.
Çfarë ndodhi më 29 nëntor?
Raportimet fillestare pohuan se Liridona Murseli u vra nga disa grabitës, teksa po udhëtonte me makinë së bashku me bashkëshortin dhe dy fëmijët e saj.
Ata ishin duke u kthyer në shtëpi pasi kishin dalë për darkë, ndërsa pranë shtëpisë u del përpara një person me armë, i cili i kërkon të japë çfarë kishin me vete.
Në këtë moment, Naim Murseli merr dy fëmijët dhe largohet nga vendi i ngjarjes, ndërsa autori qëllon për vdekje Liridonën në makinë.
Vrasje me porosi
Detajet e para të natës tragjike morën kthesë kur Policia e Kosovës arrestoi burrin e saj Naim Murselin dhe Granit Plavën si të dyshuar për vrasjen e viktimës.
Bashkëfshatari i Naim Murselit, Granit Plava ishte i pari që pranoi në polici se për vrasjen e kishte porositur Naimi dhe i kishte premtuar 30 mijë euro, 15 prej të cilave ia kishte dhënë para krimit dhe 15 të tjera do t’ia jepte pas krimit.
Një gjë të tillë e pranoi më vonë edhe vetë Naim Murseli, pa treguar shkaqet se pse e bëri një gjë të tillë.
Sipas dyshimeve të familjarëve, shkak mund të ketë qenë një shumë e madhe që i garantonte siguracioni që Liridona kishte në Suedi, në rast të një tragjedie, si ajo që ndodhi, shumë e cila kapte vlerën e 20 milion eurove.
Zbulimi i krimit
Ditën e premte, 1 dhjetor 2023, ai i dha lamtumirën nënës së djemve të tij duke i organizuar edhe ceremoninë mortore në fshatin e tij në Cërmjan të Gjakovës.
Naim Murseli, priti dhe përcolli me dorën në zemër miq, të afërm e familjarë të tyre, që shkuan për ngushëllime, si edhe shoqëroi kortezhin drejt banesës së fundit të Liridona Murseli.
Por vetëm disa orë pas ceremonisë së varrimit të 30-vjeçares, Naim Murseli u vendos në pranga së bashku me bashkëfshatarin e tij, Granit Plava dhe nipin, Kushtrim Kokolla, pjesëtar i Forcave Speciale të Kosovës.
Ndërkohë është gjetur arma e krimit me të cilën dyshohet se u vra Liridona Murseli, si edhe makina e përdorur nga autorët. Ndërkohë ende nuk dihet roli i anëtarit të FSK, Kushtrim Kokolla në ngjarjen e rëndë, që dyshohet se u porosit nga daja i tij.
Dëshmia e Naim Murseli
Mediat në Kosovë kanë zbardhur dëshminë që Naim Murseli ka dhënë. Murseli pranon se në ditën kur ndodhi ngjarja është shoqëruar me Granit Plavën, autorin e vrasjes që ai dyshohet ta ketë porositur. Të njëjtit, ai e ka pranuar se ia ka dhënë paratë për blerjen e armës me të cilën u krye vrasja.
“Në ditën kritike unë isha ne Gjakovë për pune personale dhe rastësisht jam takuar me Granitin ku Kushtrimi i ka treguar se ku do te takohemi. Ne jemi takuar në Kramovik në rrugë dhe ai ishte kthyer tek vendi i punës dhe ai ka parkuar automjetin e tij ne atë lokacion tek pompa Eko ku punonte dhe ka vazhduar me mua me veturën time Land Rover me targat 07-669-CM ngjyrë e zezë, ku së bashku jemi nisur në drejtim të restorant Liqeni i Dukagjinit, por gjatë rrugës goma e veturës mu dëmtua dhe vazhduam për ta gjetur një gomister për ta rregulluar gomën, ku në afërsi të Dujakës hasëm në një autolarje dhe mekanik i fshatit i cili na ndihmoi për ta rregulluar gomën”, ka rrëfyer Naim Murseli, raporton Paparaci.
“Personi i cili na ndihmoi e pyeti Granit Plava nëse është i interesuar për armë dhe ai i thotë ‘po vetëm dua ta shoh fillimisht’. Dhe i pëlqeu, por nuk kishte para me vete dhe mi kërkoj mua dhe unë ia dhashë 250 euro aq sa edhe ka kushtuar arma, nga aty pasi u rregullua goma më telefonon bashkëshortja dhe më tregon se ka mbërrit në Prishtinë pa dijeninë time. Unë nisem në drejtim të Prishtinës së bashku me Granitin por gjatë rrugës Graniti më kërkoi ta dërgoja në fshatin Kralan ku kishte për të marrë një veturë. Dhe, ndaras kemi vazhduar për në Prishtinë, ku ai me ka ndjekur mbrapa deri në afërsi të shtëpisë time, ku jemi barazuar me vetura dhe më ka thënë se unë tash e di çka bëj”, thotë Murseli.
Teksa rrëfen momentin e vrasjes, ai thotë se ndonëse e ka ditur se vrasësi ishte Granit Plava, nuk e ka besuar “në të vërtetë se Graniti do të veprime të tilla”.
“Në afërsi të shtëpisë, Graniti doli i maskuar në rrugë me armë të drejtuar drejt nesh. Edhe pse isha ne dijeni për prezencën e tij unë asnjëherë nuk kam besuar në të vërtetë se Graniti do të marrë veprime për vrasje. I shokuar kam ndaluar, i kam çu duart lart dhe i kam thënë bashkëshortes jepja krejt çfarë të kërkon dhe në një moment unë kam hapur derën time, pastaj derën e fëmijëve duke i thënë edhe bashkëshortes të largohet nga vetura. Në momentin që jemi larguar disa metra, kam dëgjuar një krismë por pa e parë se çfarë ndodhi”, ka thënë ai.
Naim Murseli ka pretenduar i kishte dal një problem familjar dhe për shkak të disa mesazheve martesa e tyre ishte rënduar së tepërmi.
“Një problem familjar ku kanë dal në shesh disa SMS-a me një të afërt. Këta SMS-a ia kanë dërguar bashkëshortes sime dhe kjo e ka rënduar tej mase lidhjen tonë martesore. Pas kësaj ngjarje, presioni dhe kontrolla ndaj meje është shtuar ku unë kam kërkuar ndarjen mirëpo kategorikisht bashkëshortja nuk ka pranuar dhe në një ndejë në Malmo të Suedisë, bashkëshortja më ishte hakmarrë duke më tradhtuar me një person të huaj aty. Këtë ngjarje unë e kam parë me sytë e mi mirëpo nuk ia kam shprehur në asnjë moment. Kjo ngjarje sigurisht që më ka rënduar dhe ndikuar në raportin tonë. Unë si bashkëshort të gjitha kushtet ia kam plotësuar dhe kam dashur që ajo të jetë e lumtur”.
Dëshmia e ekzekutorit
Granit Plava ka dëshmuar se ka qenë Naim Murseli që e ka porositur vrasjen e bashkëshortes së tij në këmbim të 30 mijë eurove.
Plava ka dëshmuar e biseda mes tij, Naim Murselit dhe Kushtrim Kokallës ka ndodhur një javë parë se të kryehej vrasja.
Naimi i ka kërkuar Granit, që kjo gjë të kryhej gjatë kohës që ai do të ishte në Shqipëri, por pas disa ditësh e ka telefonuar dhe i ka kërkuar që vrasje të kryhej atë ditë.
Ai po ashtu ka treguar se Naim Murseli i ka premtuar se çfarëdo gjëje që t’i ndodhte atij do ta ndihmonte pasi ai kishte lekë edhe nëse futen në burg do ta nxirrte.
“Gjatë bisedës në prezencë të të treve, Naimi më ka thënë se do t’i marrësh 30,000.00 euro pasi ta vrasim këtë grua. Në këtë ditë është përmend edhe kallashi për ta ekzekutuar këtë grua, por nuk kam pranuar. Pak para se të largohem m’i ka dhënë dhe 400 euro, dhe Kushtrimit ia ka dhënë një shumë tjetër dhe jemi marrë vesh që të kryhet kjo punë”, ka thënë Plava. “Po ashtu, Naimi na ka thënë se ‘unë kam me shku në Shqipni dhe të kryhet kjo punë sa unë jam atje.Në ditën e vrasjes më ka telefonuar në Whatsapp dhe më ka thënë se sot duhet të kryhet kjo punë, duke më thënë se ti e di se ‘kam pare unë, nëse ndodh diçka unë do të të nxjerr’. Më ka marrë me makinën e tij Range Rover rreth orës 12:00 ku kemi bërë gjiro tek Liqeni i Radoniçit. Aty është prishë goma e makinës dhe kemi shkuar në fshatin Novosellë e Epërme ku aty pronari i një vullkanizeri pasi e kemi rregulluar gomën, Naimi ka thënë se e mora këtë armë nga pronari i këtij vullkanizeri”, ka dëshmuar Plava.
Rrëfimi i personit që i shiti armën Naim Murselit
Unë nuk i kam njohur këta persona deri me datën 29 nëntor 2023. Po as atë ditë nuk i kam njohur si emra, por e kam kuptuar pasi janë arrestuar se kush ishin këta dy persona të cilët kishin ardhur për të rregulluar makinën tek unë.
Atë ditë që kanë ardhur iu ishte prishur goma e makinës, Range Rover që e ka pasur ngjyrë të zezë. Kam marrë gomën e dëmtuar të makinës së tyre dhe shkuam në një gomisteri tjetër në fshatin Osek.
Gjatë kthimit në makinë, Naimi ka nisur të flasë për armë dhe ka thënë që kam një armë 1000 euro. Ndërsa unë i kam thënë që kam një armë që vlen 250 euro. Naimi më ka thënë a bën që ta shikoj. Pasi kemi shkuar në shtëpi, kam marrë armën. Shoku i Naimit, Graniti e ka marrë dhe e ka provuar në oborrin tim. Pas Granitit e ka marrë edhe Naimi, e ka provuar.
E kanë marrë armën dhe kanë shkuar në drejtim të gomisterisë dhe kanë thënë që kur të kthehemi do t’i marrim edhe fishekët. Pasi kanë ardhur, kanë marrë edhe 20 fishekë, më pas janë larguar.
Mesa më kujtohet mua e gjithë ngjarja ka ndodhur rreth 1 orë, prej orës 14:00 deri në orën 15:00.
Nuk më kanë treguar asgjë se për çfarë e donin armën, as unë si kam pyetur. Nuk kam qenë i sigurt që ka qenë arma ime 100%, nëse do të isha i sigurtë do e kisha raportuar. Armën ka rreth 5-6 vite që e kisha në posedim.
E kam blerë në Gjakovë nga disa persona nga Shqipëria, por nuk i njoh. Nuk e kam ditë se çfarë ka ndodhur me atë armë, se po ta dija që është përdorur do e kisha raportuar. Gjithçka e kam marrë vesh nga mediat, nuk isha i sigurtë 100%.