E hënë, 24 Tetor 2016 – Sakte.net
Sot është afati i fundi i dorëzimit të këngëve për edicionin e 55 të Festivalit të këngës në RTSH që do të mbahet në dhjetor.
Ky festival sivjet vjen me një strukturë dhe konceptim të ri që synon rikthimin e besimit të publikut dhe të krijuesve.
Në kuadër të kësaj reforme, organizatorët e festivalit këtë vit kanë vendosur që në rolin e udhëheqësve artistikë të jenë pesë producentë muzikorë: Shpëtim Saraçi, Alfred Kaçinari, Florent Boshnjaku, Bojken Lako dhe Gent Rushi, të cilët do të krijojnë një bazament përzgjedhës cilësor.
Sivjet është vendosur që të jenë vetëm 24 këngë pjesëmarrësë, 14 prej të cilave do të kalojnë në finale, ndërsa për herë të parë përzgjedhja e tyre do të bëhet nga juria profesionale, juria e gazetarëve dhe publiku.
Kënga fituese e cila edhe do ta përfaqësojë Shqipërinë në Eurovision, në finale do të zgjidhet nga juria profesionale dhe juria e publikut në raportin 60 me 40 përqind.
Vitin e kaluar në festivalin e TVSH-së fitoi këngëtarja Eneda Tarifa e cila më pas përfaqësoi shqiptarët në Eurovizion. Edicioni i radhës i festivalit evropian të këngës do të mbahet vitin e ardhshëm në Ukrainë.