Besimtarët myslimanë u rikthyen sot në sheshin Skënderbej për faljen e Fitër Bajramit, pas një shkëputje prej pandemisë COVID-19.
Mijëra besimtarë myslimanë falën sot namazin e Fitër Bajramit në sheshin “Skënderbej” në Tiranë dhe mijëra të tjerë në sheshet kryesore të çdo qyteti të vendit, njoftoi KMSH. Festimet e Fitër Bajramit filluan që në orët e para të mëngjesit me faljen e namazit të sabahut.
Më pas programi i Bajramit filloi me këndimin e një pjesë nga Kur’ani Famëlartë, të cilën e përcolli imami i xhamisë së “Et’hem Beut”, z. Elton Karaj.
“Motra dhe vëllezër, të dashur qytetarë, sot, është Bajram, është festë, është ditë gëzimi për të gjithë. Për një muaj, në syfyr e në iftar keni shtruar sofrën e muajit të Bekuar të Ramazanit. Kemi ndarë kafshatën me nevojtarët, kemi shtruar nevojën tonë për falje, nëpërmjet adhurimeve, te Zoti i gjithësisë. Festa e Bajramit është festë gëzimi, për ata që agjëruan, është gëzimi i shpresës se kemi dalë nga ky muaj më të pastër nga sa hymë në të. Bajrami është gëzim në çdo vatër shqiptare, ju sot do të shkoni te njëri-tjetri për t’i uruar Bajramin, do të shtrini dorën e pajtimit nëse keni qenë të hidhëruar me dikë, kjo botë nuk duhet të ketë mërira, ajo nuk do t’i mbetet askujt. E pazakonta e pandemisë, falë Zotit (xh.sh.), duket se po shkon, ne sivjet kaluam një ramazan normal, dhe po kalojmë një Bajram siç e shohim. Falënderimet i takojnë Zotit! ”- tha z. Spahiu gjatë fjalës së tij.
Në ligjëratën e rastit, Nënkryetari i Komunitetit Mysliman, z. Taulant Bica, pasi uroi të pranishmit për Fitër Bajramin u fokusua tek kujdesi dhe vëmendja ndaj familjes dhe rinisë.
“Dita e sotme e Fitër Bajramit është festë e madhe për të gjithë myslimanët kudo ndodhen. Gëzimi, lumturia, harmonia dhe festa e kësaj dite, vjen si pasoje e urdhrit të Zotit, i cili thotë: “O njerëz, për Mua agjëruat në muajin e Ramazanit dhe sipas urdhrit tim falët namazin e Bajramit, kthehuni tani në shtëpitë tuaja të pastruar dhe të falur nga gabimet. Ndërsa i dashuri i Tij dhe i dashuri i zemrave tona, Muhamedi a.s, na ka këshilluar me këto fjalë: “Veprimi më i dashur për Allahun pas kryerjes së adhurimeve është kur një besimtar gëzon vëllain e tij, pra një besimtar tjetër. Dhe në këtë mënyrë, të falur dhe të pastruar nga mëkatet, sot duhet të gëzojmë të gjithë sëbashku.
Sot nuk ka mëri, urrejtje, smirë, mërziti, inate e xhelozi, sot ka vetëm gëzim, lumturi, dashuri, harmoni dhe respekt midis njëri-tjetrit. Sot ne i tregojmë njerëzimit se jemi të përulur, mirënjohës, të bindur dhe falënderues ndaj Krijuesit tonë por njëkohësisht të dashur dhe respektues ndaj njëri-tjetrit dhe shoqërisë.” – tha ai.
Gjatë hytbes, Myftiu Luli, u lut për më shumë paqe, kënaqësi, gëzim dhe harmoni mes njerëzve të shoqërisë sonë.
“Te nderuar besimtarë! Sot, ne, jemi mbledhur në këtë shesh për të gëzuar sëbashku. Allahu xh.sh e ka bërë agimin e kësaj dite festë të kalimit nga sakrifica në gëzim. Kaluam nëpër 30 ditë përkushtimi të shtuar në adhurime ndaj Zotit xh.sh. Ramazani, agjërimi pra, është pika më e lartë e sinqeritetit që njeriu mund të tregojë ndaj Zotit xh.sh. Adhurimet, sofrat e syfyrit dhe iftarit që zbukuruan këtë muaj, solidariteti, ndihma e cila ishte reale në çdo cep të Shqipërisë që bënë të mundur edhe një herë që i pasuri të ulej në të njëjtën tryezë me të varfrin, tregoi edhe një herë se Islami është manuali më i qartë për të vendosur themelet e një shoqërie të shëndetshme.” – u shpreh ai gjatë hytbes.
Më pas besimtarët e pranishëm në shesh u shpërndanë për të festuar me familjet dhe të afërmit e tyre.
© SYRI.net