SPAK dhe dosja gjermane “zbërthejnë” Flux Fusion/ Akuzat në media: Kompania e Juri Spores është kthyer në makineri pastrimi parash

Më 14 dhjetor 2017, Drejtoria për Hetimin e Narkotikëve dhe Trafiqeve i dërgoi Prokurorisë së Krimeve të Rënda një kërkesë për ndalimin e shtetasit Juri Spore, i njohur edhe si Armando Spore, në funksion të procedimit penal nr.318 të vitit 2017. Por kjo kërkesë nuk u përmbush dhe nga gjykata shqiptare Juri Spore u la i lirë. Tre vjet më vonë, GJKKO e gjykoi atë për trafik narkotikësh sipas nenit 283/a/2 të Kodit Penal dhe rrëzoi rekursin e tij kundër vendimit të Gjykatës së Posaçme të Apelit, duke lënë në fuqi dënimin. Por as ky dënim nuk u ekzekutua kurrë dhe Juri Spore vazhdoi i lirë.

Pas lirimit, Juri Spore filloi të krijonte në Tiranë një rrjet kompanish në fushën e makinave elektrike dhe shërbimit të taksive. Administrator dhe aksioner i këtyre kompanive janë ai dhe vëllezërit e tij, Ferdinand dhe Aleksandër Sporeja. Sot ai drejton FLUX FUSION, FLUX SERVICE, AUTO FUSION PLUS dhe BLU COAST, të cilat, sipas dosjes nr.287/1 të vitit 2021 të Prokurorisë së Posaçme, shërbejnë për pastrimin e parave të përfituara nga trafiku ndërkombëtar i kokainës.

Autoritetet gjermane e kishin identifikuar më parë Juri Sporen si një nga koordinatorët e shpërndarjes së kokainës dhe heroinës në Gjermani, Austri dhe Hungari. Por as ky informacion nuk e pengoi atë të operonte lirisht në Shqipëri. Në dosjen e SPAK-ut, një shënim i thatë konfirmon se Drejtoria e Narkotikëve “kërkon ndalimin e këtij shtetasi”, por kjo kërkesë mbeti pa përgjigje dhe Juri Spore vazhdoi të udhëtonte lirisht brenda dhe jashtë Shqipërisë.

Pronarët e vërtetë, si i zbuloi SPAK
Dosja e SPAK-ut nr. 287/1 e vitit 2021 përmban komunikime të përgjuara që ekspozojnë të gjithë skemën. Pronarët e vërtetë të kompanive nuk janë vëllezërit Spore. Janë Adrian Rama, Erjon Rama dhe Elton Memeti.

Më 15 gusht 2024, Adrian Rama i thotë Aleksandër Sporejas në telefon: “T’ka marr n’telefon ai numri që t’kam dhon un, ai që the ti, do ta bëj drejtor. …. ka gjet dhe 4-5 shofera tjer, kshu nga 50 vjeç, t’mir, po do me fol me ty. Licencen e mora thuji, targat po dalin, makinat e tjera po vijn.”

Adrian Rama është organizatori. Ai merr licencat, gjen shoferët dhe drejton operacionin. Aleksandër Sporeja është vetëm një emër në letra, zbatues i porosive të bosëve të kokainës.

Më 6 dhjetor 2024, Adrian Rama e quan veten “ortak i Armandos” tek taksitë. Në një bisedë tjetër, Elton Memeti përdor shprehjen “vetëm ne” kur flet për kompaninë, duke treguar qartë se e konsideron veten pronar.

Erjon Rama komunikon vazhdimisht me Aleksandër Sporen për çështje të përditshme. Në një bisedë, ai thotë: “na interesojnë vetëm kartat, lekët i rimburson kompania.”

Trafikanti tjetër, Elton Memeti, në një bisedë të datës 30 nëntor 2024, përdor shprehjen “vetëm ne i kemi kompjuterat origjinal” kur flet për kompaninë, duke evidentuar faktin se ai e konsideron shoqërinë si pronë të tij.

Çfarë thotë SPAK në dosje
Në dosjen nr. 287/1, SPAK shkruan: “Personat nën hetim Adrian Rama, Erjon Rama dhe Elton Memeti, përmes një skeme të koordinuar, kanë fshehur pronësinë reale të shoqërisë Auto Fusion Plus duke e regjistruar atë formalisht në emër të shtetasit Aleksandër Sporeja.”

“Kjo mënyrë veprimi përputhet me elementët e fshehjes së pronësisë dhe kontrollit, duke u konsideruar si një mekanizëm për të maskuar origjinën e burimeve dhe për të shmangur identifikimin e pronarëve të vërtetë, çka ngre dyshime të arsyeshme për ekzistencën e veprës penale të pastrimit të produkteve të veprës penale, në kuptim të nenit 287 të Kodit Penal.”

Spak konkludon 27 automjete elektrike luksoze, në pronësi të FLUX FUSION, modele Volkswagen ID.3, ID.4, ID.6 Crozz Pro, Audi Q4 e-tron, Zeekr 7x, Aion Y Plus; me vlerë totale rreth 82 milionë lekë ( 800,000 euro). Por më 7 prill 2026, pak para se SPAK të vendoste sekuestron, Aleksandër Sporeja i shiti 100% të aksioneve të kompanisë shtetasit Shkëlqim Lagaqi për vetëm 150,000 euro, duke përfshirë dhe 27 mjetet taksi.

SPAK konstaton se, nisur nga vlera e shitjes së kuotës dhe bazuar në vlerën e aseteve të shoqërisë, arsyeshëm konkudohet mbi faktin se shitja e shoqërisë është fiktive dhe se dikush e kishte informuar Aleksandër Sporen për sekuestron e afërt.

Dosja e SPAK-ut zbulon gjithashtu se midis 20 nëntorit 2024 dhe 6 janarit 2025, Erjon Rama i dha hua Juri Spores jo më pak se 250,000 euro, pa afat dhe pa interes. Deri në këtë fazë të hetimeve, nuk ka të dhëna për kthimin e huasë nga ana e Juri Spores. SPAK konstaton se këto transaksione financiare dhe veprime juridike janë përdorur për të fshehur origjinën e fondeve dhe për të legjitimuar produkte të veprës penale nga personat nën hetim Adrian Rama, Erjon Rama dhe Elton Memeti.

Por fjalët mbeten në letër. Sekuestroja u vendos, por arrestimet nuk erdhën. Juri Spore vazhdon i lirë. Adrian Rama, Erjon Rama dhe Elton Memeti vazhdojnë të lirë. FLUX TAXI dhe BLU COAST TAXI vazhdojnë të operojnë. Makinat elektrike vazhdojnë të qarkullojnë dhe paratë e drogës vazhdojnë të pastrohen.

Pse Juri Spore nuk u arrestua në vitin 2017 kur Prokuroria e Krimeve të Rënda kërkoi ndalimin e tij?

Pse dënimi i vitit 2020 nuk u ekzekutua?

Kush e informoi Aleksandër Sporen për sekuestron e afërt, duke e lejuar atë të shiste kompaninë?

Deri kur do të presim që drejtësia shqiptare të veprojë?/ Pamfleti

The post SPAK dhe dosja gjermane “zbërthejnë” Flux Fusion/ Akuzat në media: Kompania e Juri Spores është kthyer në makineri pastrimi parash appeared first on Gazeta Shqiptare Online.

më të fundit

MARKETING

- Advertisement -Newspaper WordPress Theme

më shumë

- Advertisement -Newspaper WordPress Theme