Prokuroria e Posaçme deklaroi të enjten se në koordinim me Prokurorinë Antimafia të Italisë do të nisë një hetim mbi dyshimet për pastrim parash dhe korrupsion në dhënien e lejeve të ndërtimit në Tiranë, pas skandalit të zbuluar me rastin e mafias ‘Ndragheta.
Nga Gjergj Erebara-BIRN
Prokuroria e Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar bëri të ditur se ka regjistruar procedim penal pa autor nën dyshimin e korrupsionit me lejet e ndërtimit në qendër të Tiranës dhe pastrimit të parave në kullat e qendrës ndërsa ka kryer një takim koordinues me autoritetet italiane, hetimi i të cilave në Itali zbuloi indiciet fillestare.
Për këtë arsye, të enjten më 4 shkurt, kreu i SPAK Arben Kraja është takuar në Romë me Federico Cafiero de Raho Drejtues i Prokurorisë Kombëtare Antimafia dhe Antiterrorizëm, Itali.
Integriteti i SPAK është vënë në pikëpyetje për shkak të mungesës së deritanishme të rezultateve në luftën kundër korrupsionit të nivelit të lartë apo zbehjes së hetimeve ndaj disa grupimeve kriminale në akuza dytësore. Por zbulimi në media pak javë më parë i hetimeve në Itali për një grup të strukturuar kriminal të angazhuar në krijimin e skemave për pastrimin e parave të mafias së njohur si ‘Ndragheta kthehu edhe një herë vëmendjen mbi gadishmërinë e prokurorisë së sapokrijuar për të hetuar dyshimet për krim në nivelet më të larta.
‘Prokuroria e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar garanton publikun se është e vendosur për të hetuar deri në fund çdo element dhe fakt që përbën indicje për veprimtari kriminale të kryer në territorin e Republikës së Shqipërisë dhe që lidhet me objektin e hetimeve të kryera deri tani nga Prokuroria Antimafia e Catanzaros,’ deklaroi SPAK në njoftimin e saj.
Hetimi i Antimafias së Catanzaros mbajti nën përgjim shtetas italianë dhe shqiptarë për vite me radhë. Mes shumë të dhënave të tjera, nën përgjim, personat tashmë të akuzuar për pastrim parash tregojnë se si lejet e ndërtimit në Tiranë blihen me para dhe se si kullat e debatueshme që po ndërtohen në qendër të Tiranës me lejen dhe mbështetjen publike të kryebashkiakut Erion Veliaj dhe kryeministrit Edi Rama po i shërbejnë mafias për të pastruar para.
Veliaj dhe Rama kanë hedhur poshtë akuzat për korrupsion dhe pastrim parash.
© SYRI.net