Avokatët e çiftit Erion Veliaj dhe Ajola Xoxa kanë reaguar lidhur me vendimin e Prokurorisë së Posaçme, e cila bëri me dije se ka vendosur sekuestrimin e një prone që dyshohet se lidhet me kryebashkiakun e arrestuar të Tiranës, Erion Veliaj, dhe bashkëshorten e tij Ajola Xoxa, e cila ndodhet nën masën e sigurimit “detyrim paraqitje”.
Në një deklaratë publike, avokatët sqarojnë se Veliaj dhe Xoxa nuk kanë asnjë lidhje pasurore apo ligjore me subjektin tregtar “A.K.” shpk, as me pasurinë që është objekt i masës së sigurimit pasuror “sekuestro preventive”.
“As z. Erion Veliaj dhe as znj. Ajola Xoxa nuk janë pronarë të kësaj pasurie të sekuestruar dhe nuk kanë asnjë lidhje pasurore apo ligjore me subjektin tregtar “A.K.” shpk, e as me pasurinë që është objekt i masës së sigurimit pasuror “sekuestro preventive”, thuhet në deklaratën e mbrojtjes.
Avokatët sqarojnë më tej se pasuria e paluajtshme në pronësi të znj. Xoxa është apartamenti në zonën e Selitës, ku ata banojnë, i krijuar para martesës. Sipas tyre, ky apartament nuk ka qenë asnjëherë objekt hetimi apo sekuestrimi nga ndonjë autoritet ligjzbatues.
Më tej në reagim theksohet se çdo dyshim i ngritur duhet të mbështetet në fakte konkrete dhe prova të verifikueshme, në respekt të parimit të prezumimit të pafajësisë dhe të drejtave themelore të individit.
“Veliaj dhe znj. Xoxa kanë deklaruar pasuritë e tyre, para dhe pas martesës, në përputhje me legjislacionin në fuqi, dhe kanë qenë gjithmonë bashkëpunues me institucionet përgjegjëse”, thuhet më tej në deklaratë.
Ndërkohë, SPAK bëri të ditur më herët se prona e sekuestruar ndodhet në zonën e Kodrës së Diellit në Tiranë.
Sipas organit të akuzës, ekzistojnë të dhëna konkrete që çojnë në dyshimin e arsyeshëm se Veliaj dhe Xoxa kanë konsumuar elementët e veprës penale të “Refuzimi për deklarimin, mosdeklarimi, fshehja ose deklarimi i rremë i pasurive, interesave privatë të personave të zgjedhur dhe nëpunësve publikë”.
SPAK thekson se nga të dhënat e mbledhura deri tani, dyshohet se Veliaj dhe Xoxa kanë interesa pasurore faktike mbi dy pasuri – njëra prej tyre shtesë pasurie – që ndodhen pranë apartamentit në Selitë, në rezidencën “Kodra e Diellit”, ku ata aktualisht jetojnë.
Deklaratë e avokatëve të z. Erion Veliaj dhe znj. Ajola Xoxa:
“Në vijim të raportimeve mediatike dhe interesit të shtuar publik lidhur me vendimin e Gjykatës së Posaçme të Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar, në kuadër të procedimit penal nr. 27 të vitit 2024, sqarojmë si më poshtë:
As Z. Erion Veliaj dhe as Znj. Ajola Xoxa nuk janë pronarë të kesaj pasurie të sekuestruar dhe nuk kanë asnjë lidhje pasurore apo ligjore me subjektin tregtar “A.K.” shpk, e as me pasurinë që është objekt i masës së sigurimit pasuror “sekuestro preventive”.
Pasuria e paluajtshme në pronësi të Z. Xoxa është apartamenti ku ata banojnë, në zonën e Selitës, krijuar para marteses dhe ky apartament nuk është dhe nuk ka qenë në asnjë moment objekt hetimi apo sekuestrimi nga ndonjë autoritet ligjzbatues.
Theksojmë se është në të drejtën ligjore të organit të akuzës të kryejë hetime, por dyshimet e ngritura duhet të bazohen në fakte konkrete dhe prova të verifikueshme, në respekt të parimit të prezumimit të pafajësisë dhe të drejtave themelore të individit.
Veliaj dhe Znj. Xoxa kanë deklaruar pasuritë e tyre, si para dhe pas martesës, në përputhje me legjislacionin në fuqi, dhe kanë qenë gjithmonë bashkëpunues me institucionet përgjegjëse.
Çdo përpjekje për të deformuar realitetin dhe për të lidhur emrin e tyre me çështje që nuk kanë asnjë bazë ligjore përbën keqinformim të opinionit publik dhe sulm ndaj figurës publike të Z. Veliaj, për cka do të ndiqen të gjitha rrugët ligjore për mbrojtjen e reputacionit dhe zbardhjen deri në fund të së vërtetës.”