Policët duhet të respektojnë ligjin dhe të jenë në shërbim të qytetarëve, ngase vetëm atyre u kanë borxh e jo partive politike. Kështu tha ministri i Punëve të Brendshme, Oliver Spasovski, pas fillimit të trajnimeve për nëpunësit policor të cilët do të jenë të përfshirënë zgjedhjet lokale. Spasovski tha se mesazhi kryesor deri tek gjithë ata është se duhet të respektohet ligji dhe të ndalohet pjesëmarrja e çdo nëpunësi policor në propagandë politike për cilëndo parti.
OLIVER SPASOVSKI, MINISTËR I MPB-SË
“Ata duhet të jenë në shërbim të qytetarëve dhe Maqedonisë dhe jo në shërbim të partive politike. Për shkak se ata u kanë borxh vetëm qytetarëve të Maqedonisë, ata që nëpërmjet tatimeve u japin rroga. I bëj thirrje gjithë partive politike të jenë në nivelin e detyrës dhe nëpërmjet shkëmbimeve dhe ideve të arrin deri tek qytetarët dhe jo nëpërmjet veprimeve antiligjore”
Duke komentuar deklaratat e kryetarit të VMRO-DPMNE-së, Nikolla Gruevski, se në këto zgjedhje MPB do të jetë në shërbim të LSDM-së, Spasovski tha se ka mbaruar koha kur MPB shfrytëzohej si shtab politik.
OLIVER SPASOVSKI, MINISTËR I MPB-SË
“Koha kur hapësirat e MPB-së u shfrytëzonin si shtabe partiake, kur makinat e MPB-së shfrytëzoheshin për propagandë pikërisht për partinë e liderit që sot bën thirrje se do të ndodh një gjë e tillë, ka mbaruar. Do të sanksionohet rreptësisht çfarëdo keqpërdorimi i resurseve njerëzore dhe materiale gjatë procesit zgjedhor”
Spasovski u bëri thirrje qytetarëve të Maqedonisë të denoncojnë në repartin për kontroll të brendshëm në MPB nëse vërejnë çfarëdolloj presioni nga cili do përfaqësues i Qeverisë, ose nga nëpunësit policor./SHENJA