Sektori i Punëve të Brendshme Tetovë kanë kumtuar detaje për rastin ku humbën alpinistë në Malin Sharr të Tetovës dhe ku njëri prej tyre ishte lënduar.
Siç qëndron në njoftim, denoncimi për rastin kishte arritur në polici në ora 13:00. Alpinistët ishin nga Shkupi dhe njëri nga ata u lëndua tekja ktheheshin nga maja Treskavec mbi fshatin Veshallë të Tetovës, transmeton TV21.
“Dje (30-janar) në orën 13:00, 35-vjeçari N.N. nga Shkupi në SPB Tetovë ka raportuar se shoku i tij G.K.(44), po ashtu nga Shkupi, me të cilin kanë qenë në alpinizëm, gjatë kthimit nga maja e malit Treskavec, mbi Veshallën e Tetovës, ku më parë ishin ngjitur, ka lënduar këmbën dhe se i nevojitet ndihmë për t’u kthyer. Policët e Njësisë së Policisë nga Kodra e Diellit, në koordinim të drejtpërdrejtë me ekipin e Drejtorisë për Mbrojtje dhe Shpëtim, së shpejti i kanë gjetur lokacionin dhe më pas mjeku nga ekipi i Ndihmës së shpejtë të lënduarit i ka ofruar ndihmën e duhur dhe më pas kanë zbritur në mënyrë të sigurt në Veshallë, prej ku automjeti i tyre ishte nisur për në Shkup”, qëndron në kumtesën e SPB Tetovë./TV21