Grupi parlamentar i Partisë Socialdemokrate të Gjermanisë ka reaguar ndaj zhvillimeve më të reja politike në Kosovë, duke i dënuar planet për rrëzimin e Qeverisë.
E ata që po ndërmarrin plane të tilla i ka quajtur hazarderë të papërgjegjshëm.
“Forcat politike në Kosovë po mundohen që të përfitojnë nga pandemia e koronavirusit, duke kërcënuar me rrëzimin e qeverisë së kryeministrit Albin Kurti”, shkruan në njoftimin e deputetëve gjermanë të kësaj partie.
“Në krizën aktuale, Qeveria e kryeministrit Albin Kurti po vepron me maturi. Rrjedhimisht, jemi duke përcjellur me shqetësim mënyrën se si forca brenda Kosovës po mundohen që ta shfrytëzojnë pandeminë për përfitime politike. Në vend se të flasë me një zë me Qeverinë dhe të kërkojë respektimin e masave mbrojtëse, presidenti Thaçi po kërkon shpalljen e gjendjes emergjente, për t’i zgjëruar kompetencat e veta”.
Kjo parti thotë se vendimi i Albin Kurtit për shkarkimin nga posti i Agim Veliut të LDK-së është rrjedhojë logjike, pasi që ai ishte shprehur në favor të gjendjes emergjente, duke dalur jashtë linjës së Qeverisë së tij.
Grupi parlamentar i SPD-së përmes njoftimit i bën thirrje në të njëjtën kohë LDK-së që ta tërheqë mocionin e mosbesimit.
“Qytetarët e Republikës së Kosovës kanë nevojë për stabilitet politik më shumë së kurrë. Është shenjë inkurajuese që kryetarja e Kuvendit, Vjosa Osmani si dhe deputetë tjerë dhe ministra nga LDK-ja janë duke e refuzuar mocionin e votëbesimit”.
Për këtë parti janë të patolerueshme përpjekjet e forcave jashtë Evropës “që në gjendjen e pandemisë së koronavirusit të shtyjnë përpara plane për shkëmbim territoresh midis Serbisë dhe Kosovës”.
“Këto e rrezikojnë stabilitetin e tërë rajonit”, shkruan në njoftimin e SPD-së.
SPD-ja është njëra prej dy partive më të mëdha në Gjermani. Ajo është pjesë e koalicionit qeverisës, të kancelares gjermane, Angela Merkel.