Aktakuzat e para të Gjykatës Speciale kundër ish-udhëheqësve të UÇK-së, respektivisht edhe arrestimet e para, pritet të ndodhin gjatë muajve mars ose prill të këtij viti.
Kështu kanë vlerësuar ekspertët e çështjeve juridike dhe kushtetuese, të cilët kanë thënë se Specialja pritet t’i godasë edhe figurat më të rëndësishme të spektrit politik. Por, megjithëkëtë, ata konsiderojnë se Specialja nuk do të sjellë trazira e as destabilizim të situatës, shkruan “Zëri”.
Nga ana tjetër, para dy ditësh shefja e misionit të EULEX-it në Kosovë, Alexandra Papadopoulo, zyrtarisht ka emëruar 19 gjykatës në regjistrin e gjykatësve ndërkombëtarë të Dhomave të Specializuara.
Me këtë rast zëdhënësja e Speciales, Avis Benes, ka bërë të ditur për “Zërin” se aktakuzat e para pritet të ngrihen në gjashtëmujorin e parë të këtij viti.
Por, ekspertët vlerësojnë se puna e Speciales nuk do të kryhet vetëm gjatë 2017-s. Përkundrazi, siç konsiderojnë ata, puna e kësaj Gjykate do të zgjasë për vite me radhë. /Zëri/