Gazetar: Bashkim Sulejmani
Me vendosjen e 14 bluzave të djegura në vendin ku ishte spitali modular dhe ndezjen e 14 qirinjve në shenjë kujtimi për ata që humbën jetën në këtë vend, familjarët e viktimave kërkuan drejtësi dhe zbardhja e plotë të këtij rasti.
“Si familjarë, kërkojmë urgjentisht hapje të procedurës gjyqësore për zjarrin.
Rigjykim dhe rishikim i vendimeve nga gjykimi paraprak në gjyqin e Tetovës. Shkarkimi i prokurorit republikan Joveski, bashke me kryeprokurorin e Tetovës Besir Aliu, prokurorët Zorica Pavllovic, Dejan Petreski, Hanefi Ameti dhe të tjerë të involvuar në krim. Pa drejtësi nuk ka qetësi”, u shpreh një familjar.
“Gjithë prokuroria këtu e ka bë hilen më të madhe, duke injoruar këtë ekspertizë gjermane dhe duke marr parasysh ekspertizën e fakultetit të Shkupit ku koleg janë një i dyshuar për veprën kriminale dhe një tjetër që falsifikon deklaratën”, u shpreh një protestues.
“Këtu siç shihet drejtësi nuk ka por edhe ne nuk e kemi mendjen të ndalojmë dhe do vazhdojmë protestat edhe më tutje. Do njoftojmë krejt banorët mediat dhe nëse është e nevojshme edhe në Shkup do shkojmë para prokurorisë republikane që të ketë presion dhe protestë më të madhe”, shtoi një familjar.
“Mbrojtja e interesave të klaneve dhe oligarkëve të ndryshëm njerëzit i ka revoltuar tej mase dhe besoj që kjo protestë nuk do ndalet këtu. Gjithë njerëzit janë të revoltuar dhe kërkojnë drejtësi, kërkojnë të jetojnë në një shtet normal që ka siguri për të gjithë. Për momentin në këtë shtet nuk kemi siguri”, tha një familjar.
Organizatorët thanë se protestat do të vazhdojnë edhe në të ardhmen duke mos përjashtuar mundësinë e mbajtjes së protestës para Prokurorisë në Shkup. Dy vjet më parë, më 8 shtator, nga shpërthimi i zjarrit në spitalin modular në Tetovë, humbën jetën 14 persona, 12 prej të cilëve pacientë dhe dy familjarë. Në Qershor të këtij viti Gjykata e Tetovës dënoi Florin Besimin dhe Artan Etemi me 1 vjet e 6 muaj burg me kusht dhe 1 milion denarë dënim me para për mos marrjen e masave për mbrojtjen nga zjarri në spitalin modular të Tetovës, ndërsa mjeku Boban Vuçevski dhe Klinika e Tetovës si institucion u liruan nga akuzat. /Alsat.mk