Stafi i gazetarëve që punon për mediat e pavarura në pronësi të Hysenbelliu grup, përcjellin pranë institucioneve evropiane shqetësimin për sulmet e vazhdueshme të qeverisë

Stafi i gazetarëve që punon për mediat e pavarura në pronësi të Hysenbelliu grup, përcjellin pranë institucioneve evropiane shqetësimin e madh dhe dokumentet përkatëse për të dëshmuar sulmet e vazhdueshme dhe gjobat në shumën 18 milionë euro të vendosura muajt e fundit nga qeveria mbi kompanitë e grupit “Hysenbelliu” në Shqipëri.

Vetëm për News24 qeveria ka rezervuar një gjobë 200 mln lekë, me pretekstin absurd, se disa paga punonjësish nuk janë në nivelin mesatar të tregut.

Në letrën të hapur drejtuar Komisionit evropian, Parlamentit Evropian, Senatit Francez, misioneve diplomatike perëndimore të akredituara në Tiranë, misionit të delegacionit të BE, të OSBE dhe organizatës “Reporterët pa kufi”, misioneve diplomatike në tiranë dhe organizatave të huaja thuhet:
Mediat e lira, të pavarura dhe mbi të gjitha kritike përballë politikave të dënueshme të qeverisë janë një shtyllë thelbësore për triumfin e demokracisë së vërtetë që ne kërkojmë.
Përballë refuzimit tonë ndaj shantazhit dhe presionit të qeverisë, e cila kërkon të na detyrojë të heqim dorë nga liria e linjës sonë editoriale, qeveria shqiptare ka ndërmarrë sulme abuzive e të paligjshme, duke i vënë çdo kompanie të grupit Hysenbelliu gjoba të larta, penalitete, duke kryer shembje objektesh, kontrolle abuzive, pengim i zhvillimit te veprimtarisë etj. 

Nëpërmjet qasjes tonë, ne duam të alarmojmë partnerët ndërkombëtarë të Shqipërisë për mbytjen që po i bëhet në heshtje mediave të pavarura e kritike nga kryeministri Edi Rama në një kontekst pandëshkueshmërie të plotë përballë një sistemi drejtësie, i cili, pavarësisht reformës madhore të vitit 2016, ka vështirësinë më të madhe për t’i treguar kufijtë ligjorë pushtetit ekzekutiv abuziv të Edi Ramës.

E pamendueshmja po ndodh. Duke sulmuar hapur grupin tonë me metoda të padenja për një vend kandidat për anëtarësim në Bashkimin Europian, qeveria e Edi Ramës mbi të gjitha synon mediat tona, ndër më të rëndësishmet në Shqipëri. Duke kërkuar t’i gjunjëzojë ato me sulme në rrafshin ekonomik të orkestruara nga qeveria dhe agjencitë që varen prej saj, Edi Rama iu dërgon një mesazh shumë të qartë të gjitha mediave kritike në Shqipëri, të mëdha e të vogla, se përveç angazhimit në rrugën e propagandës qeveritare, nuk ka tjetër rrugë shpëtimi për to.

Iu kërkojmë të gjithë miqve të sinqertë të Shqipërisë kudo që janë dhe çfarëdo fuqie që kanë, të punojnë për të shpëtuar lirinë e shprehjes në Shqipëri, atë reale që nuk duhet të frikësohet në prapaskena nga makinacionet e një Pushteti që në zenitin e mandati të tij te tretë radhazi duket se nuk ka me frikë nga asgjë.

Bashkangjitur me letrën janë dërguar edhe shkresat me gjobat e firmosura nga organet tatimore shqiptare ndaj kompanisë “Hysenbelliu group” që nga prilli 2022 deri më sot.

më të fundit

MARKETING

- Advertisement -Newspaper WordPress Theme

më shumë

- Advertisement -Newspaper WordPress Theme