Statistika: Gratë kryejnë më pak vepra penale se sa burrat

Gazetare: Ajnur Bafqari

Gratë në Maqedoninë e Veriut janë më pak të përfshira në veprimtari kriminale dhe janë shumë më pak të përfaqësuara në sistemin e drejtësisë penale se sa burrat. Kështu thonë të dhënat e Entit Shtetëror të Statistikave, ku theksohet se në vitin 2023, vetëm 9 për qind e grave janë të dënuara për vepra penale, kundrejt 91 për qind burrave. Statistikat thonë se ato janë më të matura, rrallë e kalojnë linjën, ndërsa janë më së paku të prirura për të kryer vrasje. Statistikat thonë se ato janë shofere më të kujdesshme dhe dukshëm më pak paraqesin rrezik për sigurinë e komunikacionit.

“Me ndihmën e statistikave gjinore duhet të ndihmohet në procesin e marrjes së vendimeve dhe çështjeve që lidhen me barazinë gjinore, njëkohësisht ato shfrytëzohen për matjen e efikasitetit të politikave kombëtare dhe të tjerave në domenin e barazisë gjinore”, u shpreh Dejan Stankov, Drejtor i Entit Shtetëror të Statistikave.

Të dhënat tregojnë se nga viti në vit nëpër fakultete regjistrohen më shumë gra se burra, por në tregun e punës ato janë më pak aktive, respektivisht sipas të dhënave të vitit 2023 ,mbi 57 për qind të grave janë ekonomikisht joaktive, ndërsa vetëm 27 për qind janë punëdhënëse. Sipas statistikave përveç presidentes së parë femër në historinë e vendit, në pjesën e pushtetit dhe vendimmarrjes në vitin 2024 është zvogëluar numri i grave. Nga 120 deputetë, 47 janë gra apo 4 më pak se në përbërjen e kaluar. Në zgjedhjet lokale të vitit 2021 nga 27 kandidate gra për kryetare komunash, u zgjodhën vetëm 2. Në pjesën e këshillave komunalë për të njëjtin vit, vetëm në një komunë ka më shumë këshilltare gra, edhe atë në këshillin e komunës së Konçe.

“Një shoqëri mund të arrijë përparim, vetëm nëse si një zog fluturon me të dy krahët, njëri krah janë gratë e tjetri burrat. Nëse ky krah ku janë gratë është shfrytëzuar pjesërisht ose i thyer, zogu do të fluturojë vetëm me një krah”, u shpreh Vesna Ivanoviq, UNDP.

Sipas të dhënave të Statistikave, përqindja e grave dhe burrave në totalin e popullsisë është pothuajse e barabartë. Këto të dhëna u publikuan me rastin e 25 vjetorit të mbledhjes së të dhënave gjinore. /Alsat.mk

më të fundit

MARKETING

- Advertisement -Newspaper WordPress Theme

më shumë

- Advertisement -Newspaper WordPress Theme