Stavileci flet për mundësinë e shkarkimit të Ahmetit pas dorëheqjes nga VV-ja

Dorëheqjen e Shpend Ahmetit nga Lëvizja Vetëvendosje nuk e ka befasuar dikë nga Partia Demokratike e Kosovës.

Blerand Stavileci është shef i grupit të asamblistëve të PDK-së në komunën e Prishtinës të cilën e udhëheq kryetari Shpend Ahmeti. PDK ka fituar gjashtë ulëse për asamblistë në Kuvendin Komunal dhe është pjesë e opozitës bashkë me Lidhjen Demokratike të Kosovës.

Por që nga sot pjesë e opozitës janë bërë edhe asamblistë të Lëvizjes Vetëvendosje, që përkrahin liderin e VV-së, Albin Kurti e jo kryetarin e komunës.

Zyrtarisht VV ka 17 asamblistë në Kuvendin Komunal por që nuk dihet numri i saktë i atyre që ia mbajnë anën Ahmetit e sa Kurtit.

Kjo për Stavilecin paraqet një situatë të re në Kuvendin Komunal të Prishtinës që siç thotë ai do të jetë në disfavor të mbarëvajtjes së punëve në komunë. Megjithatë Stavileci thotë se nuk do të jenë bllokues të punëve të mira që bëhen për Prishtinën por që natyrisht do të jenë kundër veprimeve dhe vendimeve të këqija siç ka ndodhur me rastin e djeshëm ku asamblistët nuk ia votuan një raport tremujor të buxhetit.

Megjithatë Stavileci shpreson që kjo situatë të mos përdoret nga Ahmeti sikurse në të kaluarën për ta arsyetuar mospunën e tij duke ua hedhur fajin tjerëve.

“Ne kemi parë edhe gjatë kësaj periudhe tashmë ka më shumë se 5 muaj që do të duhej të flitej për punë projekte vendime që janë në interes të qytetarëve të Prishtinës ndërkaq që ne ende e shohim që bëhet lojë fjalësh. Ato që ishin deri dje fjalë drejtuar kundërshtarëve politik sot e shohim që janë fjalë që kanë pëlcitur brenda këtij subjekti dhe nuk janë veprime skena të hijshme, e pamë edhe dje na është dorëzuar një raport financiar krejtësisht amator i cili ka treguar edhe njëherë mospunën e tij. Për herë të parë e kemi pa që deputetët e ish subjektit të kryetarit aktual kanë qenë shumë të zëshëm gati barabartë me neve të opozitës që kemi kundërshtuar këtë raport”, tha Stavileci për KosovaPress.

Shefi i asamblistëve të PDK-së në Prishtinë komenton edhe mundësinë për shkarkimin e kryetarit aktual duke cituar nenin 72 të Ligjit për Vetëqeverisje Lokale.

Stavileci thotë se në Prishtinë është krijuar një situatë interesantë duke mos përjashtuar as mbajtjen e zgjedhjeve të reja për kryetar të Prishtinës.

“Ne duhet t’i referohemi ligjit për Vetëqeverisjen lokale në të cilat mund të gjejmë zgjidhje për këtë problem. Një situatë tashmë e kemi kaluar por është edhe një situatë e re që mund të ndodhë sepse kemi një vullnet politik të dhjetëra mijëra qytetarëve të cilët e kanë votuar e që sigurisht tashmë janë indinjuar me këtë veprim, e dimë që ka një nen që jep mundësinë që me mbledhjen e nënshkrimeve të 20 për qind të numrit të votuesve të regjistruar në komunën e Prishtinës pra mund ta bëjnë kërkesën për shkarkim për largim të kryetarit dhe tash do të shohim .do të jenë zhvillime interesante situata të jashtëzakonshme”, tha Stavileci.

I pyetur nëse do t’i hyjë garës për kryetar të Prishtinës në rast se ka zgjedhje Stavileci nuk është përgjigjur në mënyrë të drejtpërdrejtë përveç se ka deklaruar se subjekti i tij është i gatshëm për çdo situatë që krijohet.

“Ta shohim sepse sigurisht se do të ketë zhvillime edhe ditëve të ardhshme, po supozoj duke parë indinjatën e thellë të ish-bashkë partiakëve të kryetarit aktual sigurisht se ai nuk do ta gëzojë më mbështetjen e tyre dhe mund të ndodhë që ndoshta indinjata e tyre të përkthehet në ndonjë formë tjetër, ne do ta shohim se çfarë do të bëhet. Nga ana jonë do të jemi të gatshëm për cilindo opsion cilindo alternativë, qoftë edhe atë të zgjedhjeve”, tha Stavileci.

Por një gjë është e sigurt sipas tij, e që është se njerëzit që e kanë mbajtur peng Prishtinë më nuk do ta kenë mbështetjen e qytetarëve.

“Një është e ditur se ata që kanë mbajtur peng më nuk do ta kenë mbështetjen e qytetarëve dhe rrjedhimisht konsideroj që krijohet një mundësi e re, alternativa të reja që nuk do ta lejonin asnjëherë të vinte puna sikurse ka ardhë tash pra që siç po e shihni pas vetëm disa javëve kemi një situatë të tillë ku kryetari e humbë mbështetjen e subjektit të tij”, tha Stavileci.

Në Kuvendin Komunal të Prishtinës Vetëvendosje ka 17 asamblistë, LDK 15, PDK 6, AAK 5, AKR 4, Lëvizja për Bashkim 2, si dhe Nisma dhe Alternativa nga një asamblist.

Ahmeti ka formuar qeverisjen komunale duke bërë koalicion me AKR-në, AAK-në dhe LB-në.

më të fundit

MARKETING

- Advertisement -Newspaper WordPress Theme

më shumë

- Advertisement -Newspaper WordPress Theme