Stavileci: PAN-i ka ekskluzivitetin e kandidimit të kryeparlamentarit pafundësisht

Anëtari i Kryesisë së PDK-së Blerand Stavileci ka thënë se PAN-i e ka të drejtën ekskluzive për ta kandiduar kryetarin e Kuvendit derisa ai të zgjidhet.

“Sa i takon çështjes së zgjedhjes së kryetarit të ri të Kuvendit më së miri është t’i referohemi vendimit të Gjykatës Kushtetuese më 2014-n, pasi aty sqarohet kjo çështje. Sipas aktgjykimit, koalicioni më i madh e ka ekskluzivitetin e kandidimit të kryeparlamentarit pafundësisht, derisa të zgjidhet kryetari”, ka deklaruar ai për “Zërin”.

Megjithatë sipas Stavilecit, zgjedhja e kryeparlamentarit do të ndodhë më 3 gusht dhe pikërisht atë ditë do të formohen institucionet.

“Më 3 gusht të gjitha këto do të realizohen dhe do t’i kemi institucionet e reja”, ka potencuar ai, transmeton zeri.info.

Kurse, politologu Ramush Tahiri ka thënë se PDK-ja nuk e nxjerr Veselin si kandidat nëse e di se ai digjet politikisht.

“Nuk besoj se PDK-ja e ka nxjerrë Kadri Veselin për ta djegur duke e ditur se nuk i ka votat për kryetar Kuvendi”, ka deklaruar ai.

Sipas tij, po që se Veseli kandidohet dhe nuk zgjidhet, atëherë dëmtohet shumë autoriteti i tij, transmeton zeri.info.

“Unë mendoj se rrënohet autoriteti i Kadri Veselit nëse nuk zgjidhet kryetar i Kuvendit të Kosovës, pasi edhe zyrtarisht është paraqitur kandidatura”, ka shtuar ai./Zeri/