Pesë nëpunësit shqiptarë në Ministrinë për Marrëdhënie Ndëretnike, të suspenduar më 25 dhjetor 2025 dhe të kthyer në punë më 30 janar 2026, janë larguar përfundimisht nga vendet e tyre të punës, shkruan gazeta KOHA. Vendimi i ri për suspendim pesë nëpunësve ju është dorëzuar sot nga Komisioni disiplinor i formuar nga ministri Ivan Stoilkoviq, ndërsa në të kanë marrë pjesë shtatë anëtarë: Gordana Bozhinovska-Stamatovska, Blerand Rexhepi, Gordana Dukadinoska, Kushtrim Alla, Marko Jovanoviq, Armend Qoku dhe Daniella Denkovska.
“Komisioni konstaton se pesë administratorët shqiptarë kanë bërë dëm në punë, konkretisht kanë sjellë dyshek ose kanë improvizuar dyshek, gjë që nuk është e vërtetë. Kjo nuk është dëshmu në asnjë rast, edhe pse nga 20 e më shumë punonjës shqiptarë na ka grumbulluar në një zyre 16 metra katrorë”, thonë për KOHA punonjësit shqiptarë në ministrin që udhëhiqet nga Stoilkoviqi.
Ministri nuk e fsheh që detyrë e ka pastrimin nga shqiptarët të Ministrisë për Marrëdhënie Ndëretnike, ankohen punonjësit. “Mbi 20 administratorë tashmë e kanë braktisur vullnetarisht punën, pasi nuk i sistemon në vende pune të afërta me vendlindjen, por i detyronte të vijnë në Shkup nga Manastiri, Kërçova, Struga e Dibra. Me rrogën që marrim, duhet harxhuar vetëm për rrugë, kështu që vet këta punonjës braktisën ministrinë. Nga 20 e më tepër jemi në zyre të vogla, ndërsa të njëjtën sjellje të egër ndaj nesh e ka edhe Sekretari shtetëror, i nacionalitetit serb dhe që implementon politikat e Stoilkoviqit”.
Më 30 janar, Komisioni i shkallës së dytë konstatoi se nuk ekzistonin shkelje nga ana e administratorëve dhe se ministri nuk kishte respektuar procedurat ligjore, duke ndërmarrë masa pa pëlqimin e Agjencisë së Administratës dhe pa paraqitur prova të mjaftueshme. Rikthimi në punë ndodhi 20 ditë pas këtij vendimi, por masa e re e suspendimit tashmë është firmosur nga Komisioni disiplinor. (koha.mk)



