Gazetar: Lluka Andreev
Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s Jens Stoltenberg, nisi një mini tur-ballkanik. Objektivat e vizitës së Stoltenberg në rajon nuk ndahen në faqen zyrtare të Aleancës, shkruan Alsat.
Në Bosnjë dhe Hercegovinë, ai shprehu shqetësim për ndikimin rus në vend, dhe u bëri thirrje udhëheqësve politikë të bashkohen. Stoltenberg tha se NATO nuk do të lejojë një vakum sigurie në Bosnje dhe Hercegovinë.
“Ne jemi të shqetësuar nga retorika e shkëputjes dhe ndarjes dhe ndërhyrjes së jashtme malinje, përfshirë nga Rusia. Kjo kërcënon të minojë stabilitetin dhe të pengojë reformat…Siguria juaj është me rëndësi të madhe për rajonin e Ballkanit Perëndimor, por edhe për të gjithë Evropën”, tha Jens Stoltenberg – Sekretar i Përgjithshëm i NATO-s.
Në Agjendën e Stoltenbergut janë edhe Prishtina, Beogradi dhe Shkupi. Në Shkup ai do ta takojë kryeministrin Dimitar Kovaçevski dhe gjithashtu do t’u drejtohet deputetëve në Kuvend.
Stoltenberg do të qëndrojë në vendin tonë edhe të enjten. Ai do të zhvillojë një takim të përbashkët në Shkup me krerët e vendeve anëtare të NATO-s nga rajoni, pra kryeministrin shqiptar Edi Rama, presidentin kroat Zoran Milanoviq, si dhe kryeministrat e Malit të Zi dhe Sllovenisë, Milojko Spajiç dhe Robert Golob.
Turneu i Stoltenberutg përkoi me paralajmërimin e Presidentit ukrainas Volodymyr Zelensky ditë më parë, kur tha se Rusia do të shkaktonte kriza të reja në Ballkan. Ai bëri thirrje për vëmendje të shtuar në rajon, dhe për marrjen e masave për të parandaluar një shpërthim tjetër.
Ndërkohë, ndihmëssekretarja amerikane e Mbrojtjes Celeste Vallander tha javën e kaluar nga Shkupi, se integrimi euro-atlantik i të gjitha vendeve aspirante të Ballkanit Perëndimor duhet të mbështetet. Ajo njoftoi bashkëpunim të zgjeruar në luftën kundër dezinformimit, i cili, tha ajo, ka për qëllim krijimin e pasigurisë dhe rritjen e ndikimit politik të Rusisë./ Alsat.mk