Stoltenberg: Për Kosovën nevojitet zgjidhje politike

Sekretari i përgjithshëm i NATO-s Jens Stoltenberg ka deklaruar sot se Aleanca mbështet fuqishëm dialogun ndërmjet Beogradit e Prishitinës dhe të gjitha përpjekjet, të cilat çojnë drejt zvogëlimit të tensioneve dhe zgjidhjes së mosmarrëveshjeve, duke theksuar se “nevojitet zgjidhje politike”.

Stoltenberg në një intervistë për televizionin serb Pink ka thënë se NATO ka marrëdhënie të mirë me Serbinë dhe e respekton vendimin e Beogradit që Serbia të mos hyjë në këtë aleancë, transmeton gazetametro.net.

“Fuqimisht e përkrahim dialogu ndërmjet Beogradit e Prishtinës, si dhe të gjitha përpjekjet të cilat do të çojnë drejt zvogëlimit të tensioneve dhe zgjidhjes së mosmarrëveshjeve. Ne na nevojitet zgjidhja politike. Ky është dialogu, të cilin me vëmendje e përcjell Bashkimi Evropian, ndërsa NATO ka qenë pjesë e iniciativës, e cila ka çuar deri te ky dialog. Ne dialogun edhe më tej e përcjellim dhe e mbështesim”, ka thënë Stoltenberg

Shefi i NATO-s ka thënë se e respekton vendimin e Serbisë si shtet sovran, e cila nuk dëshiron të hyjë në NATO. Kemi marrëdhënie të shkelqyeshme me Serbinë dhe e respektojmë vendimin e saj që të mos i bashkohet NATO-së, vetëm dëshiron të jetë partner. Kjo është mirë për Serbinë, kjo është mirë për NATO-n, ka thënë ai.

Siç është bërë e ditur, kreu i NATO-s gjatë vizitës triditëshe në Serbi, do të marrë pjesë në Forumin beogradas të sigurisë dhe do të jetë i pranishëm në hapjen e ushtrimit të shpëtimit në situata të jashtëzakonshme “Serbia 2018”, bashkëorganizatorë të të cilit janë MPB-ja e Serbisë dhe Qendra euroatlantike për situata të jashtëzakonshme (EADRCC), agjenci e specializuar e NATO-s.

Me të arritur në Beograd, atë e ka pritur ministri serb i mbrojtjes Aleksandar Vulin si dhe ambasadori i Serbisë pranë misionit të NATO-s në Bruksel Momir Udovicki dhe shefi i Zyrës së NATO-s për lidhje në Beograd, gjenerali i brigadës Cezare Marineli.

NATO më herët ka bërë të ditur se Stoltenberg gjatë vizitës në Beograd do të bisedojë me kryetarin e kryeministren e Serbisë, Aleksandar Vucic e Ana Bernabic.

Mediet serbe bëjnë të ditur se i ati i tij, Thorvald Stoltenberg, i njohur edhe si ndërmjetësues për paqe i OKB-së, në vitin 1960 ka qenë i emëruar si sekretar i parë i ambasadës së norvegjisë në Beograd.

Ditën e parë të vizitës në Serbi, ai ka biseduar me studentët e gjuhës norvegjeze dhe ka përkujtuar se ka jetuar në Beograd si fëmijë, ndërsa motra e tij më e re ka lindur në Klinikën traumatologjike në Beograd, transmeton gazetametro.net.
“Mbaj mend se kemi ngrënë akulloren e parë në Kalemegdan dhe kemi jetuar në rrugën ‘Kosta Racin’. Mbaj mend edhe se kemi kënduar këngën e fëmijëve ‘Ringe ringe raja…’”, ka thënë Stoltenberg./Sakte.net

më të fundit

MARKETING

- Advertisement -Newspaper WordPress Theme

më shumë

- Advertisement -Newspaper WordPress Theme