Gazetar: Miki Trajkovski
Gjyqi për deponinë ilegale në Strugë, pas ndërprerjes njëvjeçare, rifillon të martën, më 17 janar. Pothuajse dy vite nga fillimi i procesit gjyqësor, gjykimi është rikthyer nga fillimi sepse Gjykata e Apelit në Manastir e ka kthyer lëndën në Gjykatën Themelore të Strugës. Përfaqësuesi ligjor dyshon në synimet e gjykatës së Manastirit.
“Është simptomatike që Gjykatës së Apelit në Manastir i është dashur gati një vit për të konstatuar paqartësi në kërkesën e padisë. Në këtë kontekst, dua të përmend se vetë padia konsiston në marrjen e masave të menjëhershme dhe urgjente për të parandaluar dëmtimin e ardhshëm të shëndetit dhe jetës së banorëve të Strugës…”, tha Gligorie Qatoski – avokat.
Gjykata e Apelit në Manastir paraprakisht i ka pranuar ankesat e të pandehurve, përkatësisht komunës së Strugës, ndërmarrjes komunale dhe Ministrisë së Mjedisit. Sipas shpjegimit, padia kishte paqartësi.
“Nuk do doja të mendoj se kjo është vonesë e qëllimshme e procesit. Besoj në vendimmarrje korrekte nga gjykatat, në procedurë…”, u shpreh Gligorie Qatoski.
Paditës në këtë rast është Asociacioni i Juristëve të Rinj. Ata kërkojnë që gjykata të ndalojë hedhjen e mëtejshëm të mbeturinave në afërsi të Strugës, si dhe të pastrohet dhe rivitalizohet e gjithë hapësira e deponisë. /alsat.mk