Studentë shqiptarë në Evropë shpallin të vdekur “rendin kushtetues në Kosovë”, hapin “të pame” nëpër ambasada

Një grup studentësh kosovarë në vendet evropiane kanë realizuar një protestë në shenjë pakënaqësie ndaj vendimit të Gjykatës Kushtetuese të Kosovës për dekretin e presidentit Hashim Thaçi lidhur me mandatarin e Qeverisë, duke e shpallur të vdekur “rendin kushtetues të Kosovës”.

Studentët, sipas njoftimit, protestën e kanë organizuar në pesë qytete evropiane, duke “hapur të pame” para ambasadave dhe konsullatave të Kosovës në Londër, Berlin, Frankfurt, Bern, Gjenevë dhe Cyrih.

“Ne, studente dhe studentë në mërgatë, edhe pse fizikisht larg nga njëri-tjetri, jemi bashkuar sot për të mbështetur e për t’u solidarizuar me shqetësimin dhe zemërimin e madh qytetar që ka shkaktuar vendimi i fundit i Gjykatës Kushtetuese të Kosovës. Në Londër, Berlin, Frankfurt, Bernë, Gjenevë dhe Cyrih jemi mbledhur para ambasadave ose konsullatave të Republikës së Kosovës, ku kemi vendosur një karrige e mbi të një peshqir të bardhë, lule e lajmërimin ku, ndër të tjera, shkruhet: ‘me dhimbje të thellë ju njoftojmë se në orët e vona të datës 28 maj 2020, u nda nga jeta në moshë të re Rendi Kushtetues i Kosovës. Ngushëllimet mund t’i shprehni duke vizituar Ambasadën ose Konsullatën, por edhe nëpërmjet telefonit ose letrave postare’”, thuhet në deklaratën e grupit të studentëve kosovarë që ka organizuar këtë protestë.

Sipas tyre, protestës u janë bashkuar edhe qytetarë të tjerë, ndërkohë që ky instalacion do të mbetet para ambasadave e konsullatave deri më 7 qershor

“Kosova e ëndrrave tona është demokratike dhe e zhvilluar! Është një vend ku duam dhe duhet të mund ta imagjinojmë të ardhmen!”, thuhet në njoftimin e studentëve.

Ditë më parë, Gjykata Kushtetuese vendosi në favor të dekretit të presidentit për mandatarin. VV-ja e kishte dërguar në Kushtetuese këtë dekret, duke e vlerësuar si anti-kushtetues. Ndërkohë tash vendimin e GJK-së, VV-ja e ka quajtur të paligjshëm.

 

Foto nga protesta e studentëve në qytete të ndryshme evropiane

më të fundit

MARKETING

- Advertisement -Newspaper WordPress Theme

më shumë

- Advertisement -Newspaper WordPress Theme