Një pjesë e madhe e fshatrave të Njësisë Administrative Polis në bashkinë e Librazhdit u përfshinë pasditen e të dielës nga moti i keq i shoqëruar me reshje të dendura dhe stuhi e cila u pasua me rënie breshëri për rreth 30 minuta në fshatin Gurëshpatë dhe rrethinat e tij.
Si pasojë e rënies së breshrit u shkatërruan pemëtaria dhe vreshtat e kësaj zone të cilat ishin në fazën e lulëzimit të plotë.
Paraprakisht, sipas burimeve zyrtare dëmet e shkaktuara nga stuhia e breshrit janë mjaft të mëdha dhe për këtë vit moti i keq ky fenomen natyror ka shkatërruar plotësisht prodhimin e pritshëm të pemëve frutore dhe vreshtave në këtë rajon.
Stuhia e breshrit që përfshiu një pjesë të fshatrave të Njësisë Administrative Polis të bashkisë së Librazhdit nga ora 17:00-17:30 rezultoi fatale për pemëtarinë dhe vreshtarinë e kësaj zone për këtë vit.
Nga pasojat e stuhisë janë prekur disa qindra familje fermerësh të kësaj zone mes të cilave janë edhe disa dhjetëra që kanë investuar së tepërmi në krijimin e plantacioneve me pemë frutore.
Demi financiar i tyre për shkak të fatkeqësisë natyre është jashtëzakonisht i madh dhe shpresa e vetme për ta mbetet kompensimi i këtij dëmi nga shteti.
Gjithsesi këtë fillim javë emergjencat civile do verifikojnë në terren dëmet e shkaktuara nga breshëri i të dielës në fshatin Gurëshpatë dhe në disa lagje të fshatrave të tjerë të Polisit të Librazhdit.