Gazetar: Zekirija Haxhiu
Erërat e forta një ditë më parë shkaktuan dëme të shumta në tërë territorin e Shkupit. Ndër komunat më të prekura ishte ajo e Çairit. U dëmtuan ndërtesa, prona, makina e lokale. Çatitë e disa ndërtesave u shkulën thuajse tërësisht dhe përfunduan mbi automjete. Llamarinat e dëmtuara ishin montuar kryesisht me materiale të dobëta dhe në mënyrë joprofesionale e të pasigurt.
E pavarësisht se paguajnë shuma të larta për banesat, ku çmimet arrijnë madje deri në 3000 euro për metër katror, stuhia dëshmoi se nuk ka garanci se ndërtimet janë të sigurta.
“Në veturë na ka ra druri, më janë thyer xhamat, ka ra përmbi…. Ma merr mendja se mbi 1000 euro duhet të jetë dëmi sepse nuk janë veturat shumë të reja, janë të vjetra….Thanë se tani do ta rregullojnë, çfarë duhet të bëhet, do ta bëjnë….. Duhet të vij ndonjë mjeshtër ti shikojë e ti gjallërojë drunjtë. Janë kalbur shumica, e mirë është mjeshtërit të vijnë të priten e ato që duhet të gjallërohen”, tha një banor i Çairit të cilit i ishte dëmtuar vetura.
Në një pronë private në Shkup Veri, druri gjigand kishte ndarë në dysh një furgon që përdorej për mjete pune.
Dëmeve nuk i ka shpëtuar as Fushë Tophana. Çatia e një ndërtese kishte dëmtuar rreth tre makina. Sipas banorëve përreth kishte edhe të lënduar.
Dëme pësoi edhe shkolla e mesme “Cvetan Dimov”. Është shkulur gjysma e çatisë së sallës sportive.
Përpos në Shkup dëme të shumta janë regjistruar edhe në Kumanovë. Gjithsej janë rrëzuar mbi 100 dru, janë dëmtuar 18 makina, ndërsa zjarrfikësit njoftuan se kanë intervenuar në 20 lokacione për shkak të dëmtimit të çative. Përveç fasadës dhe çative të ndërtesave, është dëmtuar edhe infrastruktura elektrike, shtylla dhe kabllo. Dëme të ngjashme janë regjistruar edhe në Tetovë, Probishtip, Prilep, Koçan, Strumicë e të tjera. Në Shtip madje, era e fortë kishte shkulur 50% të konstruksionit të çatisë të Spitalit Klinik të këtij Qyteti, ndërsa institucioni është vërshuar. Spitali i Shtipi ka njoftuar se nuk pranon pacientë më fraktura për shkak të gjendjes./Alsat.mk
The post Stuhia në Shkup / U dëmtuan vetura e prona, banorët kërkojnë kompenzim appeared first on Alsat.



