Stuhia e fuqishme që përfshiu Sarandën për vetëm pak minuta ka shkaktuar probleme në disa zona të qytetit bregdetar.
Rreth pesë minuta reshje të shoqëruara me erë të fortë kanë mjaftuar që pemë të rrëzohen, duke bllokuar disa rrugë dhe duke krijuar vështirësi në qarkullim. Probleme janë raportuar edhe në bizneset përgjatë shëtitores, ku era e fortë ka shkaktuar dëme.
Një nga incidentet më serioze është shënuar në rrugën përballë stadiumit, ku një pishë është rrëzuar dhe ka dëmtuar tre automjete.
Ndërkohë, sipas informacioneve nga urgjenca e qytetit, tre persona kanë marrë ndihmë mjekësore në spital, pasi janë plagosur nga thyerja e xhamave si pasojë e stuhisë. Pas marrjes së ndihmës së nevojshme, ata janë larguar drejt banesave të tyre.
Pamjet e siguruara nga terreni tregojnë dëmet e shkaktuara në disa zona të Sarandës, ndërsa punonjësit e shërbimeve të Bashkisë kanë zbritur në terren për të monitoruar situatën dhe për të ndërhyrë në zonat e prekura.
The post Stuhia “pushton” Sarandën! Pemë të thyera dhe dëmtim të fasadave të bizneseve, tre persona përfundojnë në spital appeared first on Gazeta Shqiptare Online.



