Kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj, ka marrë vendim për rritje të pagave për funksionarët e lartë publikë dhe për një pjesë të caktuar të shërbyesve civilë.
Ky vendim është i jashtëligjshëm, sepse, bazuar në Ligjin për Shërbyes Civil, shërbyesve civilë mund t’u rriten pagat vetëm përmes një ligji të veçantë.
Ndërsa nga deputetët ky veprim është cilësuar si vepër penale, ngase ka të bëjë me vendim të kabinetit qeveritar që lidhet me interes të drejtpërdrejtë financiar të tyre.
Në vendimin që e ka siguruar “Koha Ditore”, të parit i është rritur paga kryeministrit Ramush Haradinaj. Ai nga muaji janar do të paguhet 2950 euro, rreth 100 euro më pak sesa presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi. Rroga bruto e kryeministrit deri tash ka qenë 1550 euro. Kësisoj Haradinaj me vendim të Qeverisë që e udhëheq ia ka rritur gati 100 për qind rrogën vetes.
Por rritja e pagave të funksionarëve të lartë publikë automatikisht sjell rritje edhe në sektorët e tjerë. Kështu, rritje të pagave do të kenë të gjithë gjyqtarët dhe prokurorët në Kosovë. Kjo, pasi që në Ligjin për Gjykata dhe atë të Prokurorisë paga e tyre varësisht nga pozicioni i zyrtarit është ekuivalente me pagën e funksionarëve publikë. Nga rreth 7 milionë euro në vit sa deri tash janë paguar për pagat e prokurorëve dhe gjyqtarëve, tani Kosova do të paguajë rreth 13 milionë euro… (Më gjerësisht lexoni sot në Koha Ditore)