Komisioni i Dhomës së Përfaqësuesve që po heton sulmin e dhunshëm ndaj Kapitolit më 6 janar, votoi të mërkurën për të rekomanduar ngritjen e akuzave penale ndaj Jeffrey Clark, një ish-zyrtar i Departamentit të Drejtësisë, për pengim të punës së Kongresit.
Komisioni votoi 9 me 0 për të rekomanduar ngritjen e akuzave penale ndaj zotit Clark, i cili u rreshtua në krahun e ish-Presidentit Donald Trump-in në përpjekjet e këtij të fundit për të ndryshuar rezultatin e zgjedhjeve.
Kryetari demokrat i komisionit të 6 janarit, Bennie Thompson, tha se kishte marrë një njoftim të minutës së fundit nga avokatët e zotit Clark se ai dëshiron të përdorë të drejtën e tij që rrjedh nga Amendamenti i Pestë i Kushtetutës, për mos u përgjigjur në mënyrë që të shmangë një situatë ku mund të duket se është fajtor për ndonjë krim.
Zoti Thompson tha se avokati nuk kishte ofruar “asnjë bazë specifike për këtë qëndrim” dhe “asnjë fakt që do t’i jepte mundësi komisionin ta merrte në konsideratë këtë gjë”. Ai tha se komisioni do t’i japë zoti Clark një mundësi të dytë për një dëshmi të planifikuar të zhvillohet të shtunën.
“Për mendimin tim kjo është një përpjekje e fundit për të vonuar punën e Komisionit”, tha zoti Thompson. “Zoti Clark e kishte edhe më parë mundësinë për t’i ngritur këto pretendime në procesverbal. Komisioni do t’i japë atij një mundësi tjetër për ta bërë këtë“.
Zoti Thompson tha se komisioni vazhdoi me votimin për të rekomanduar ngritjen e akuzave penale “pasi ky është vetëm hapi i parë i këtij procesi”.
Zoti Clark u paraqit për një dëshmi muajin e kaluar, por refuzoi t’i përgjigjet çdo pyetjeje, duke përmendur përpjekjet ligjore të zotit Trump për të bllokuar hetimin që po kryen komisioni.
Rekomandimi për ngritje të akuzave penale kundër zotit Clark për pengim të punës së Kongresit, tashmë shkon për votim në Dhomën e Përfaqësuesve, por është e paqartë se sa mund të shtyhet ky proces.
Nëse kjo dhomë e Kongresit voton pro, do të jetë Departamenti i Drejtësisë, që do të vendosë nëse zoti Clark do të ndiqet penalisht.
Në një pjesë të intervistës së zotit Clark të kryer më 5 nëntor në Kongres, të publikuar nga komisioni të martën, stafi dhe anëtarët e tij u përpoqën ta bindin ish-zyrtarin e Departamentit të Drejtësisë që t’u përgjigjej pyetjeve rreth rolit të tij, ndërsa zoti Trump nxiste departamentin të hetonte pretendimet e tij të pabazuara në fakte, për manipulim të gjerë në zgjedhje. Zoti Clark ishte shndërruar në një aleat të ish-presidentit ndërsa zyrtarë të tjerë të Departamentit Drejtësisë ishin distancuar nga qëndrimet e tij.
Avokati i zotit Clark, Harry MacDougald, tha gjatë dëshmisë ne Kongres, se zoti Clark ishte i mbrojtur jo vetëm nga privilegji ekzekutiv që zoti Trump pretendon se gëzon për të mos publikuar dokumente, por edhe nga disa privilegje të tjera. Komisioni i hodhi poshtë këto qëndrime. Zotit Clark u larguan nga komisioni pas rreth 90 minutash.
Sipas një raporti të fillimit të këtij viti nga Komisioni Gjyqësor i Senatit, i cili zhvilloi seanca dëgjimore me disa nga kolegët e zoti Clark, trysnia e zotit Trump ndaj Departamentit të Drejtësisë kulmoi me një takim në Shtëpinë e Bardhë, gjatë të cilit presidenti mendoi ta ngrinte në detyrë zotin Clark, duke i dhënë pozitën e Prokurorit të Përgjithshëm. Ai nuk e ndërmorri një hap të tillë pas kërcënimeve me dorëheqje nga ana e disa ndihmësme të tij.
Pavarësisht pretendimeve të rreme të zotit Trump lidhur me zgjedhjet, pretendime që ishin dhe motivi kryesor që një turmë e dhunshme hyri në Kapitol dhe ndërpreu procesin e certifikimit të fitores së zotit Biden në zgjedhje, rezultatet u konfirmuan nga zyrtarët shtetërorë dhe u mbështetën nga gjykatat. Vetë Prokurori i Përgjithshëm i zgjedhur nga zoti Trump, William Barr, tha në dhjetor të 2020 se Departamenti i Drejtësisë nuk gjeti prova për manipulim të përhapur që mund të kishte ndryshuar rezultatin e zgjedhjeve.
Votimi i komisionit sot (të mërkurën) vjen pasi ish-ndihmësi më i lartë i zotit Trump në Shtëpinë e Bardhë, ish-shefi i kabinetit Mark Meadows, ka rënë dakord të bashkëpunojë me komisionin për një gamë të kufizuar çështjesh, pas më shumë se dy muaj negociatash. Zoti Meadows ka ofruar disa dokumente dhe pritet të ulet për një dëshmi brenda javës së ardhshme. Por avokati i tij ka thënë se zoti Meadows do të refuzojë t’u përgjigjet pyetjeve specifike./ VOA