Gazetare: Ajnur Bafqari
Ministri i Punëve të Brendshme konfirmoi se një ditë më parë janë ndaluar dy persona. Është konfirmuar se njëri prej tyre po kërkohej me fletëarrest ndërkombëtar dhe nuk ka fare të bëjë me sulmin e armatosur në Haraçinë.
Megjithatë Toshkovski nuk bëri të ditur nëse i ndaluari tjetër është ose jo i përfshirë në incidentin e armatosur, shkruan Alsat.
“Gjatë ditës së djeshme ishin ndaluar dy persona për të cilët dyshohej se kanë lidhje me ngjarjen penale juridike në fjalë. Në korniza të veprimeve të ndërmarra operative që merren nga shërbimet në MPB ishte konfirmuar se njëri prej personave të ndaluar, kërkohet me fletëarrest ndërkombëtar, dhe do të procedohet sipas ligjit”, tha Pançe Toshkovski, Ministër Teknik i Punëve të Brendshme.
Ndërkohë gjendja shëndetësore e të plagosurve është e qëndrueshme. Qetë është edhe në Haraçinë, aty ku ditë më parë ndodhi sulmi i armatosur ndaj kreut të komunës, Ridvan Ibrahimi.
“Dyert e komunës së Haraçinës as sot nuk janë të hapura për qytetarët, pas incidentit të armatosur që ndodhi të hënën, ku cak i sulmit ishte kryetari i kësaj komune, ndërsa u plagosën shoferi i tij dhe një tjetër nëpunës komunal”, raporton gazetarja e Alsat, Ajnur Bafqari.
Kjo nuk është hera e parë që dyert e kësaj komune mbyllen për shkaqe sigurie. Në maj të vitit të kaluar komuna e Haraçinës, disa ditë nuk ishte në shërbim të qytetarëve për shkak të kërcënimeve me jetë që kishte marrë kryetari dhe administrata e komunës.
Ridvan Ibrahimi në disa raste ka denoncuar në polici se është cak i sulmeve verbale, fizike dhe kërcënimeve./ Alsat.mk