Sulmi i parë mbi Jasharajt, paralajmërimi i luftës që do të ndodhte

Si sot, 26 vjet më parë, Prekazi ishte pika më kërcënuese për shpërthimin e luftës së pritshme në Kosovë. Prej andej vinin lajme se ishin rrethuar shtëpitë e Jasharajve dhe se populli i Drenicës kishte dalë në mal për të mbrojtur veten me mjetet rrethanore.

Kosova nuk ishte gati për çfarëdo rezistence të armatosur, sepse as kishte armë, as njerëz për t’i prirë asaj me sukses.

Për të parandaluar luftën e parakohshme, atë ditë në Prekaz udhëtuan Fehmi Agani e Bajram Kelmendi, që të dy të vrarë nga forcat serbe më 1999, dhe Veton Surroi e Zenun Çelaj, gazetarë e veprimtarë. Po ashtu atje kishte shkuar edhe Zekeria Cana.

Më 30 dhjetor të vitit 1991, kur të tjerët po përgatiteshin të kremtonin vitin e ri, ani pse në rrethana të rënda, në orët e paradites Këshillit i kishin arritur dy informacione shumë shqetësuese, që flisnin për të njëjtin problem: Prekazin e kishin rrethuar forca të mëdha të armatosura me uniforma të policisë, por me pajime ushtarake – tanke e armë të tjera. Të dy informatat, njëra që vinte nga Gani Koci, nga Nënkëshilli në Skenderaj, dhe tjetra (sa mbaj në mend) nga Halit Berani, nga Nënkëshilli në Mitrovicë, njoftonin për sjellje brutale të policisë, për bastisje vandale, për keqtrajtim njerëzish në mënyrën më të egër, për rrethim të fshatit dhe për mbajtje peng të burrave. Por, në këto dy informata kishte diçka të pazakonshëm në krahasim me informatat që i vinin Këshillit. Që të dyja theksonin situatën tejet të elektrizuar dhe daljen në mal të drenicakëve me ato armë a mjete që kishin pasur dhe shtonin se në çdo çast mund të pëlciste lufta. Në Kroaci tashmë ajo kishte shpërthyer dhe në Bosnjë të gjitha shenjat paralajmëronin luftë, ani pse të gjithë analistët e huaj kishin paraparë që ajo të niste më së pari në Kosovë.

Mendimi i parë që të shkonte në kokë sapo i lexoje informatat ishte mos do të jetë ky fundi i iluzioneve tona se në këtë proces të zhbërjes së Jugosllavisë do të fitojmë edhe ne lirinë. Atë “S’ka dasmë pa gjak” askush nuk e përjashtonte, por dukej sikur as koha e dasmës nuk kishte ardhur. U takuam ata që mund u tubuam sa më shpejt për të diskutuar se çfarë duhej të bënim si Këshill. Të gjithë ishin të bindur se duhej të bëheshin përpjekje që të pengohej konfrontimi i armatosur me forcat serbe. Informatat për situatën e rrezikshme në Prekaz kishin arritur edhe në Lidhjen Demokratike, që atëherë ishte shndërruar në lëvizje të rezistencës (paqësore) kombëtare. Kërkuam të mbanim një takim urgjent me ta. Në lokalet e Shoqatës së Shkrimtarëve të Kosovës u mbajt takimi dhe pas një diskutimi të përshkuar nga shqetësimet që kishin pushtuar secilin, u pajtuam që të bënim përpjekje për të biseduar me kreun policor të Serbisë për shmangien e konfliktit të armatosur. U morëm vesh që të kërkonim prej tyre të tërheqin policinë dhe mjetet me të cilat e kishin rrethuar Prekazin dhe t’u premtonim se edhe ne do t’i bënim thirrje popullatës, që kishte dalë në mal (sipas informatave që kishim ishin parë me kallashnikovë, me pushkë automatike dhe pushkë të tipit të vjetër, por edhe me çifte, me sëpata, me kosa, tërfurq… ), të kthehej nëpër shtëpi.

Por kush do të bisedonte me kreun e policisë? Emri i Fehmi Aganit, njeriut më të përgatitur për të bërë negociata, ishte i pashmangshëm dhe ai nuk kundërshtoi, sado që ishte një mision që na dukej shumë i pakëndshëm. Pastaj u vendos që Fehmiun ta shoqëroja unë (Zenun Çelaj). Isha sekretar i Këshillit për Mbrojtjen e të Drejtave dhe Lirive të Njeriut, dhe ky fakt negociatave do t’u jepte karakter paqësor.

Problem tani ishte si të vendosej kontakti me policinë – të shkonim ashtu, të paparalajmëruar, mund të mos takonim ata që mund të vendosnin për luftë a paqe nga ana e policisë. Raporte institucionale nuk kishte. Siç dihet – ne shqiptarët nuk i njihnim, kurse ata e kishin forcën dhe na ndiqnin.

Ishte shefi i protokollit të kryetarit të Lidhjes Demokratike të Kosovës, Adnan Merovci, ai që zgjidhi problemin. Ai njoftoi se pas pak zyrtarët e policisë (atëherë milicisë) po na prisnin në ndërtesën afër Stadiumit të Prishtinës, që ishte e lidhur me Ambulancën e Dhëmbëve (bëhet fjalë për ndërtesën e bombarduar nga NATO më 1999, në themelet e të cilave tani është ngritur ndërtesa ku është vendosur Ministria e Brendshme e Kosovës). Ishte mesditë. Nga Skenderajt vazhdonin të vinin njoftime dramatike për situatën. Zyrat e LDK-së dhe zyrat e policisë ku do të takoheshim kishin vetëm dy-treqind metra distancë. Flitej se prej andej çdo bisedë dhe çdo gjë që ndodhte këtu përgjohej. Një inspektor policie shqiptar, që ishte larguar nga policia më vonë, ka thënë se çdo mëngjes nëpër zyrat e përgjegjësve të policisë shpërndaheshin transkriptet e asaj që ishte biseduar ose kishte ndodhur në zyrat e Shoqatës, pra të LDK-së, ku thuaja gjatë gjithë dekadës së fundit të shekullit XX zhvillohej aktiviteti politik i shqiptarëve të Kosovës.

Bashkë me Fehmiun u nisëm drejt zyrave ku duhej të takoheshim me kreun policor të Serbisë, që komandonte të gjitha aksionet kundër shqiptarëve në Kosovë. Tani, pas 26 vjetësh nga ajo ditë, e kujtoj shqetësimin. Ishte edhe përgjegjësia për misionin dhe pasiguria për sukses. Si t’ua shtronim problemin? Po nëse vënë kushte, që ne nuk kishim autorizime t’i pranonim apo t’i refuzonim, sepse nuk kishim pasur kohë të debatonim për të gjitha modalitetet. Gati gjithë rrugën e kaluam pa folur. Munda vetëm t’i them: “Profesor, vetëm ti fol!” Poshtë, në hyrje, ishte roja. U duk i habitur kur e pa Fehmi Aganin, për të cilin sigurisht do të ketë parë e dëgjuar vetëm akuza. Unë vetëm e ndiqja. Pasi i tregoi kush ishim dhe pse ishim aty, policit i doli si pa dashje: “Po, ju njoh” dhe pastaj bisedoi me dikë përmes telefonit. Na kontrolloi hollësisht me dorë dhe me një detektor dhe pastaj i tha një polici tjetër të na shoqëronte deri “Te komandanti” (Kod komandanta), siç i tha. Në pushimoren e katit të dytë na tha të ndaleshim. Vetë trokiti në derën që vinte përballë, në të majtë. Doli një tjetër polic, që në krah kishte grada.

“Urdhëroni, profesor”, i tha një njeri, jo aq i madh me shtat dhe pasi kaluam një paradhomë u ndodhem në një kabinet të pajisur me mobilie të veshura me rrip të zi. Pasi na tregoi kolltuqet ku do të uleshim, para të cilave ishte një tavolinë e ulët, të tjerëve u tha se këta vijnë nga ”Aletrnativa…” (kështu e quanin ata gjithë lëvizjen e rezistencës në Kosovë). Ishin aty dhjetë, ndoshta më shumë, veta, të gjithë me uniforma policësh, por edhe ushtarakë. Njeriu, i cili qëndronte në ballë, pasi u prezantua me emrin Obrad Stefanoviq, iu drejtua me emër Fehmiut: “Fol, Fehmi! Ju po e nxitni popullin për gjakderdhje. Edhe sipas “Bilblës”, po sa di edhe Kurani e ka këtë, secili në fund e merr atë për të cilën punon”, pasi i tha këto me cinizëm kaloi shikimin nga Fehmiu në mua. Pastaj vazhduan edhe të tjerë të pyesnin kërcënueshëm se çfarë donim e çfarë po bënim ne shqiptarët, intelektualët në veçanti, se po e çonim popullin drejt katastrofës, gjakderdhjes dhe se për të gjitha këto do të përgjigjeshim.

Profesor Fehmiu i dëgjoi me kujdes dhe pasi u tha se këto ishin çështje të tjera dhe që do të mund të diskutoheshin tjetërkund dhe në një përbërje tjetër, iu drejtua Stefanoviqit (njeriut që na u prezantua me këtë mbiemër dhe që shihej nga sjellja e të tjerëve se ishte kryesori): “Ne kemi ardhur të bisedojmë me ju rreth asaj që sot po ndodhë në Prekaz. Ne kemi informacione shumë shqetësuese se sjelljet e policisë atje kanë qenë shumë të vrazhda dhe provokuese, se forcat tuaja kanë rrethuar fshatin dhe kanë marrë peng shumë fshatarë, por po ashtu kemi informacione se populli ka dalë në mal dhe ka rrezik që të shpërthejë ndonjë konflikt i armatosur. Ne kemi ardhur përfaqësues të atyre që ju e quani “Alterantiva Shqiptare” t’ju themi se nëse ndodhë ndonjë konflikt i armatosur ju do të jeni përgjegjës dhe njëherit ju propozojmë një zgjidhje para se të ndodhë më e keqja: T’i tërhiqni sa më parë forcat tuaja nga Prekazi dhe t’i lironi njerëzit. Nëse e bëni ju këtë, ne, përmes përfaqësuesve tanë në Skenderaj, njerëzit që kanë dalë në mal do t’i kthejmë nëpër shtëpi”.

Stefanoviq, por edhe një ushtarak me gradë koloneli (nuk ia përmendi kush emrin), vazhduan me kërcënime se prej andej do të tërhiqen pasi të qërojnë hesape me ata “që duan ta shkatërrojnë Jugosllavinë” dhe “njëherë e përgjithmonë t’i mënjanojmë ata të cilët po rrezikojnë jo vetëm jetën atyre që kanë ardhur t’ju mbrojnë, por edhe të popullit të vet”. Ishin fraza të dëgjuara shpesh në prononcimet jo vetëm të njerëzve në uniforma, por edhe të politikanëve serbë sa herë që flisnin për situatën në Kosovë.

Profesor Agani ua ktheu se situata këso here është shumë më serioze se që mund ta merrni me mend. “Njerëzit kanë dalë në mal të vetëmbrohen me ato mjete që kanë pasur: sëpata, kosa, mund të ketë edhe ndonjë pushkë gjuetie, por flitet edhe për armë të tjera. Meqë ju e keni provokuar këtë situatë, u takon të ndërmerrni për ta qetësuar gjendjen. Po ndodhi gjakderdhje, juve do t’ju konsiderojmë fajtorë” – ua përsëriti profesori. Ata prapë vazhduan me akuza e kërcënime, ndërkaq unë, sado ishim marrë vesh që të mos flisja, nuk mund u durova pa u thënë se “Ne e kryem detyrën që kishim marrë nga kreu i Alternativës dhe nëse nuk doni t’i bashkoheni vullnetit e iniciativës sonë që t’i dalim përpara gjakderdhjes, na thoni dhe ne mund të shkojmë”. Profesor Agani shtoi se “Asnjëherë deri më tash nuk ka qenë më rrezik të shpërthejë konflikt me pasoja”.

Kur ne u ngritëm në këmbë të shkonim, Obrad Stefanoviq i drejtua profesorit: “Mirë Fehmi, ne po i themi policisë të tërhiqet, por kush do ta marrë përgjegjësinë nëse tuajt i sulmojnë gjatë tërheqjes? A do të keni ju mundësi t’i ndalni ata?” Ashtu në këmbë profesori ia ktheu: “Nëse tuajt tërhiqen, ne mund të sigurojmë se askush nuk do t’i sulmojë nga ana e shqiptarëve”.

“Atëherë ju do të jeni përgjegjës, pra, po ndodhi gjë” – ndërhyri ushtaraku.

“Mirëpo, ne duhet të shkojmë në Prekaz që të mund të përmbushim premtimin” – tha Fehmiu, që nga kreu i policisë u prit me aprovim – disa me zë, e disa me kokë. “Shkoni pra atje dhe kërkoni komandantin (na e tha emrin, por tani nuk më kujtohet) dhe merruni vesh për rendin e veprimeve. Ne do ta njoftojmë me anë të lidhjeve tona për marrëveshjen” tha Stefanoviq. Unë kërkova një leje me shkrim që të mund të arrinim atje pa pengesa, por ai tha se do të bisedojnë me radiolidhje me njerëzit e tyre dhe se nuk do të kemi pengesa.

Në zyrat e LDK-së gjithmonë gjendej dikush që bënte shërbime vullnetarisht me veturën e vet. Nuk më kujtohet saktësisht se cili nga ta erdhi për të na çuar. Ora tashmë kishte kaluar një pas mesdite. U nisem dhe deri në Prekaz nëntë herë na ndalen patrullat e policisë dhe secilën herë na kontrolluan prej majës së kokës deri në thembër të këmbës.

Kur arritëm në Prekaz gati kishte filluar të binte terri. Në një plato para dyqanit të fshatit, ishin dyzet deri pesëdhjetë veta, në këmbë, me duar pas qafe, disa vetëm në pixhame, brekë të gjata, kishte vetëm me pantofle ose këpucë pa çorape. Ishte mjaft ftohtë dhe njerëzit shihej se mezi qendronin në këmbë. Rreth pesëdhjetë metra larg tyre na ndali polici, me grykë të automatit të drejtuar nga ne. Shtëpitë ishin të rrethuara nga policë (mund të kishte edhe ushtarë) me armë të shkrehura dhe të drejtuara nga njerëzit që i kishin marrë nëpër shtëpi derisa po flinin dhe një tank kishte drejtuar grykën e topit në drejtim të shtëpive. Mbi grykën e topit kishin vënë një qeleshe të bardhë, ishte e qartë me qëllime përbuzëse si një shenjë dalluese të atyre që po i mbanin para tytave. Policit i treguam pse kishim ardhur dhe se kishim biseduar me eprorët e tyre në Prishtinë dhe se tani duhej të bisedonim me komandantin e tyre. Ai shkoi dhe bisedoi me njërin, por ai nuk erdhi menjëherë. Pas disa minutash iu drejtuam sërish policit, që na rrinte afër bashkë me disa të tjerë, se po binte terri dhe se me Stefanoviqin ishim marrë vesh që ata të hiqnin rrethimin, t’i lironin njerëzit, në mënyrë që të tërhiqeshin edhe njerëzit e fshatrave nga mali, të cilët po ashtu “janë të armatosur”. Ai shkoi përsëri te njeriu me të cilin kishte biseduar kur arritëm ne dhe duket se ia kishte transmetuar gjithë porosinë, sepse ai erdhi me nxitim dhe na kërcënoi se “Edhe ju do t’ua bëjmë më zi se këtyre!”. Por, profesor Fehmiu me shumë gjakftohtësi ia ktheu se këtë mund ta bënte, meqë ne kishim ardhur të vendosnim paqen e jo të luftonim, dhe se këtu ishim “sipas marrëveshjes me komandantin tuaj”. Kjo sikur ia ndali turrin, meqë reagimit të Fehmiut iu përgjigj “Mirë pra, brenda njëzet minutash do të tërhiqemi, por duhet të na siguroni se nuk do të sulmohemi!” I thamë se menjëherë do të kontaktonim me njerëzit tanë, të cilët do të siguronin tërheqjen e tyre pa probleme.

U kthyem në Skenderaj, por na u desh të bridhnim nëpër disa shtëpi derisa e gjetëm atë ku do t’i takonim ata që mund të kryenin porosinë. Natën u kthyem në Prishtinë, pasi në Skenderaj na erdhi njoftimi se policia ishte tërhequr.

Zenun Çelaj është kryeredaktor i portalit Koha.net

© KOHA.

më të fundit

MARKETING

- Advertisement -Newspaper WordPress Theme

më shumë

- Advertisement -Newspaper WordPress Theme