Me dy granata dore është sulmuar pas mesnate zyra e Postës së Kosovës në Zveçanit, e hapur katër ditë më parë. Për sulmin në objektin e ish-Bankës së Kursimeve Postare, të mbyllur vitin e shkuar, kanë nisur hetimet institucionet e sigurisë. Kryetari i Zveçanit, Ilir Peci, ka ngritur dyshime se sulmi është kryer nga personat e njëjtë që vitin e kaluar kanë sulmuar edhe Stacionin policor e objektin e Komunës. E kryeministri në detyrë, Albin Kurti, ka thënë se sulmi ka elemente terroriste,
Filiali më i ri i Postës së Kosovës në veriun e banuar kryesisht me serbë, është bërë cak sulmi me granata dore. Zyrtarë të lartë shtetërorë e cilësuan terrorist aktin.
Zyrës në Zveçan, për të cilën autoritetet thanë se është hapur të premten, i janë thyer xhamat e dritareve e të hyrjes kryesore nga sulmi që ndodhi mbrëmë.
Sipas Policisë së Kosovës, granatat e dorës janë hedhur të martën, pak minuta pas mesnatës. Dëmet materiale janë shkaktuar nga shpërthimi i njërës granatë, ndërsa tjetra, e cila është vërejtur nga zyrtarët policorë, është shpërthyer në mënyrë të kontrolluar nga njësia e specializuar për trajtimin e mjeteve eksplozive.
Në Polici thanë se menjëherë kanë nisur hetimet, por nuk qenë në gjendje të tregonin nëse janë identifikuar të dyshuarit dhe as për sa të tillë bëhet fjalë.
Sipas zëvendësdrejtorit të Policisë për rajonin e veriut, Veton Elshani, situata në këtë pjesë, ndonëse delikate, është e qetë.
“Nuk mund të them diçka për grupin, për njerëz, për ata të cilët kanë gjuajtur granatat e dorës aty, përpos që kjo është pjesë e hetimit dhe jemi duke u marrë seriozisht me të”, ka thënë Elshani. “Situata në veri të vendit vazhdon të jetë e qetë, vazhdon të jetë delikate, por është e qetë, kështu që nuk ka diçka që e rrezikon sigurinë e përgjithshme në veri të vendit”.
Veriu që përbëhet nga katër komuna, mban lidhje të forta me Serbinë. Autoritetet vazhdimisht kanë ngritur shqetësimin për kontrabandim armësh e municioni nga ky shtet.
Institucionet shtetërore janë bërë cak sulmesh të armatosura shumë herë, e ato janë shtuar në 3 vjetët e fundit.
Zëvendëskomandanti Elshani ka thënë se ka disa muaj që nuk ka pasur shpërthim të granatave të dorës në Zveçan.
“Ajo çka ka ndryshuar prej më herët është që ne kemi një numër shumë të madh të policëve joshqiptarë. Janë diku rreth 60 përqind dhe që neve na e mundëson ta kryejmë punën shumë mirë në krejt veriun e vendit. Kemi qasje në secilën pjesë në veri të vendit dhe çdo informacion që e kërkojmë do ta marrim”, ka thënë ai. “Në asnjë moment policia nuk e largon asnjë pistë të hetimit, në asnjë moment”.
Elshani tha se rasti i sulmit me granata dore “konsiderohet si rast i izoluar” dhe se ai “nuk ndikon diçka në situatë të sigurisë”.
Për dallim nga përfaqësues të institucioneve të sigurisë, kryetari i Zveçanit, Ilir Peci, ka shprehur dyshimet e tij në lidhje me personat që kanë mundur ta kryejnë sulmin.
Peci tha se ka informacione që rasti i sulmit në postë është i lidhur me dy sulmet e tjera në fund të vitit të shkuar, atë në Stacionin e Policisë dhe tjetri në objektin e Komunës.
“Përafërsisht është grupi i njëjtë. Mund të ketë lëvizje të personave, por grupi është i njëjtë. Qëllimi i tyre dihet normalisht, për t’i frikësuar qytetarët. Por unë prapë po e përsëris që qytetarët nuk kanë nevojë për frikë apo panik. Policët janë ata të cilët në çdo vend, në çdo moment janë të gatshëm të veprojnë dhe nuk besoj që ka nevojë për panik”, ka thënë kryetari Peci.
Pas sulmit, në hapësirat e zyrës u panë edhe zyrtarët e Postës së Kosovës tek kanë evidentuar dëmet e shkaktuara.
Posta ka dënuar aktin.
“Posta e Kosovës SH.A. dënon ashpër këtë akt kriminal dhe kërkon nga autoritetet kompetente hetimin e plotë të rastit dhe vënien e përgjegjësve para drejtësisë. Ky sulm nuk na zmbraps në përkushtimin tonë për të ofruar shërbime cilësore dhe për të zgjeruar prezencën postare në të gjithë vendin. Njoftojmë qytetarët se në këtë qytet vazhdon të jetë funksionale edhe zyra postare Zveçan-1, e cila ndodhet në objektin e Komunës”, thuhet në reagimin e Postës. “Falënderojmë Policinë e Kosovës për reagimin e shpejtë dhe profesional. Së shpejti edhe zyra postare Zveçan-2 do të rikthehet në shërbim të qytetarëve”.
E, përfaqësues të institucioneve dhe kryetarë të partive opozitare kanë dënuar sulmin.
Kryeministri në detyrë, Albin Kurti, ka thënë se sulmi ka elemente terroriste dhe ka vlerësuar se ai është bërë me qëllim të cenimit të sigurisë e për të penguar integrimin e qytetarëve.
“Brengosës në këtë situatë mbetet fakti se individë të njohur për lidhjet e tyre me grupe kriminale dhe terroriste, si Millan Radoiçiq, vazhdojnë të mbeten të lirë, e po strehohen dhe po shfrytëzohen nga pushteti në Serbi për qëllime shoviniste. Qëndrimi në liri i kriminelit Radoiçiq dhe mosdorëzimi i tij autoriteteve të shtetit tonë është një mesazh i rrezikshëm që inkurajon kriminelë e terroristë, ekstremistë të ndryshëm, që të vazhdojnë veprimet e tyre me tendencë destabilizuese”, ka thënë Kurti.
Ndërkaq, ministri në detyrë i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla, ka thënë se shteti do të veprojë me vendosmëri për të siguruar që qytetarët pa dallim të jetojnë në një mjedis të sigurt e të lirë.
“Shteti do të vazhdojë të veprojë me vendosmëri për të siguruar që të gjithë qytetarët, pa dallim, të jetojnë në një mjedis të sigurt dhe të lirë”, ka theksuar ai.
Kurse ministrja e Ekonomisë, Artane Rizvanolli, ka thënë se puna në objektin e sulmuar të Postës do të rifillojë më së largu të martën.
“Sigurisht që qëllimi i një sulmi të tillë nuk është thjesht dëmtimi i një zyre e thyerja e një xhami, por krijimi i ndjenjës së pasigurisë te qytetarët dhe thyerja e ndjenjës së normalitetit që i është kthyer asaj pjese ku për dekada në vend të rendit e ligjit sundonin bandat kriminale”, ka thënë Rizvanolli.
Sulmi është dënuar edhe nga kryetari i AAK-së, Ramush Haradinaj. Ai ka theksuar se Kosova nuk guxon të kthehet në strehë të terroristëve e të akteve terroriste, ndërsa ka thënë se duhet kërkuar bashkëpunim me aleatët në NATO.
“Sulmet e përsëritura mbi institucionet e Republikës së Kosovës dëshmojnë qartë qëllimet agresive të Serbisë, andaj edhe sulmi i mbrëmshëm është vazhdimësi e logjikës terroriste të lidershipit në Serbi. Policia dhe institucionet e sigurisë po dëshmojnë qartë aftësinë dhe gatishmërinë për t’i sjellë para drejtësisë ata që guxojnë të cenojnë rendin dhe ligjin në Kosovë”, ka thënë Haradinaj.
Posta ka vendosur zyrat edhe në veri, pasi autoritetet i kanë mbyllur ato që Serbia ilegalisht i ka mbajtur në këtë pjesë. Krahas tyre, ka mbyllur edhe shumë institucione ilegale financiare dhe të tjera të strukturave paralele.
Veprimeve për shtrirjen e autoritetit kushtetues në veri, një numër serbësh u janë përgjigjur edhe me armë. Në shtator të vitit të kaluar, Prokuroria ka ngritur aktakuzë ndaj 45 personave – në mesin e tyre edhe Millan Radoiçiq – për sulmin e armatosur ndaj Policisë në Banjskë më 24 shtator të vitit 2023, kur ka mbetur i vrarë rreshteri Afrim Bunjaku. Sulm terrorist me eksploziv është kryer vitin e shkuar edhe ndaj infrastrukturës kritike, nëpërmjet të cilit është dëmtuar kanali i Ibër Lepencit, nga i cili furnizohen me ujë për pije një numër komunash dhe për ftohje edhe termocentralet.