Sekretari amerikan i Shtetit, Rex Tillerson, i tha homologut britanik, Boris Johnson, se Shtetet e Bashkuara marrin “përgjegjësinë e plotë” për rrjedhjen e informacioneve të inteligjencës, që lidhen me sulmin terrorist në Mançester, transmeton REL.
Duke folur në Londër, Tillerson tha se ka siguruar Johnsonin se Shtetet e Bashkuara nuk do të lejojnë ndonjë organizatë terroriste të përhapë dhunë dhe urrejtje “pa e luftuar atë” dhe se do t’i bllokojnë “përpjekjet e tyre për të rekrutuar ndjekës të rinj, qoftë në terren, qoftë online”.
Në sulmin vetëvrasës në Mançester, që ka ndodhur të hënën mbrëma në një sallë koncertesh, janë vrarë 22 veta dhe janë plagosur mbi 60 të tjerë, shumica fëmijë.
Zyrtarët amerikanë janë kritikuar ashpër nga zyrtarët britanikë pas raporteve se informacione të klasifikuara në lidhje me sulmin kanë rrjedhur në mediat amerikane.
Të enjten, kryeministrja britanike, Theresa May, i tha presidentit amerikan, Donald Trump, se inteligjenca e ndarë midis dy vendeve duhet të jetë e sigurt.
Grupi militant Shteti Islamik ka marrë përgjegjësinë për sulmin në Mançester – më vdekjeprurësin në Britani qysh në vitin 2005, kur 56 veta janë vrarë nga sulmi në sistemin e transportit në Londër.