Të enjten mbrëma, një zyrtar i Policisë së Kosovës u plagos gjatë një sulmi të armatosur në veriun e Kosovës. Sipas policisë, sulmi ka ndodhur rreth orës 23:00 në fshatin Serbovc të komunës së Zveçanit. Polici, menjëherë, me ekipe emergjente, është drejtuar për në Spitalin e Përgjithshëm “Dr. Sami Haxhibeqiri” në Mitrovicë.
Të premten, drejtoresha e këtij spitali i dha hollësi Nacionales për gjendjen e policit.
“Mbrëmë ka ardhur polici i plagosur. Gjendja e tij shëndetësore nuk është në rrezik. E ka plumbin në kraharor- në shpatull. Pritet me u transferu në Prishtinë”.
Ndërkohë, kujtojmë se Policia e Kosovës njoftoi mbrëmë se njësitë që ishin në detyrë, “janë sulmuar nga persona të armatosur me armë të gjata, nga një automjet i tipit Audi, ngjyrë hiri, me targa KM”.
Si pasojë e incidentit, një pjesëtar i Policisë së Kosovës është lënduar lehtë dhe janë shkaktuar dëme të konsiderueshme materiale në veturën e policisë.
Sulmi ka ndodhur pak orë pasi Policia e Kosovës e shtoi praninë e saj në atë pjesë të Kosovës, ku ditëve të fundit janë shpeshtuar incidentet, por pa pasoja në njerëz.
Kujtojmë se pas vendosjes së policëve në Lagjen e Boshnjakëve, drejtori i të ashtuquajturës Zyrë për Kosovën në Qeverinë e Serbisë, Petar Petkoviç, ka reaguar, duke ngritur edhe pretendime të çuditshme dhe duke shprehur fjalë nxitëse.
Petkoviçi ka deklaruar se Serbia “do ta shqyrtojë dërgimin e 1.000 forcave të saj të sigurisë” në Kosovë dhe, sipas tij, ky veprim do të bëhet në përputhje me Rezolutën 1244 të Kombeve të Bashkuara (OKB).
© SYRI.net